Nëse shikohen me kujdes librat e shpenzimeve të Tunelit të Llogarasë, bazuar në kostot e manualeve ndërkombëtare dhe vendase të ndërtimit të viteve të fundit, nuk do të gjejë shumë ndryshim nga kostot e njëzet viteve më parë në Kroaci. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, duke pjestuar 190 milionë euro me 5.9 km të gjatësisë së Tunelit të Llogarasë, kosto për një km del 32.2 milionë euro, brenda diapazonit të kostove të sotme në Ballkan.
nga Fatos Çoçoli


- Tuneli i Llogarasë, Shqipëri, 5 korrik 2024 Tuneli Sveti Rok, Kroaci, përfunduar në janar 2003

- Tuneli Mala Kapela, Kroaci, përfunduar në korrik 2004
Tuneli i Llogarasë është tunel malor i lartë, alpin. U kushtoi taksave tona (Buxhetit të Shtetit) 190 milionë euro. Në këtë shifër ndizet fantazia e gjyqtarëve dhe prokurorëve popullorë. Shumëkush prej tyre flet për abuzime dhe vjedhje të nivelit 50 milionë euro.
Një tunel malor ka një strukturë shpenzimesh shumë teknike dhe po të mos kesh tunele të ngjashëm në terrene malore brenda zonës së Ballkanit, krahasimi bëhet i vështirë. Megjithatë, Tuneli i Llogarasë i ka dy “vëllezër binjakë”, dy tunele alpine pothuajse identike me të, në madhësi, numër tubash (hyrjesh dhe daljesh) dhe madje edhe në gjatësi.
Të dy tunelet që ndodhen në Alpet Dinarike të Kroacisë quhen Sveti Rok (Guri i Shenjtë) dhe Mala Kapela (Kapelja e Vogël). Sveti Rok është i gjatë 5.7 km, ndërsa Mala Kapela 5.9 km. Tuneli i Llogarasë është 200 metra më i gjatë se njëri dhe 100 metra më i gjatë se tjetri.
Pavarësisht se tubi i dytë i emergjencës në tunelet kroate është dukshëm më i vogël se tubi i dytë në Llogara, tunelet janë shumë të ngjashëm.Të dyja tunelet kroate, sipas burimeve qeveritare kroate(https://mints.gov.hr/news-11455/both-tubes-of-sveti-rok-and-mala-kapela-tunnels-formally-opened-to-traffic/17430), i kanë kushtuar buxhetit të Shtetit të Kroacisë 2.3 miliardë kuna kroate, ose 137 milionë euro të atëhershëm.
Tabela 1. Pse tunelet kroate dhe Tuneli i Llogarasë janë të ngjashëm?
- Mala Kapela (2002-2004) 5.8 km
- Cveti Rok (2001-2003) 5.7 km
- Tuneli i Llogarasë (2021-2024) 5.9 km
- Të tre tunelet kanë nga dy tuba, pra dy kalime
Tunelet kroate do të kushtonin më shumë se tuneli shqiptar, po të ndërtoheshin në vitet 2021-2024!
Në dukje, shqetësimi dhe fjalnaja e sotme se Tuneli i Llogarasë na ka kushtuar shumë shtrenjtë, 190 milionë euro, duket sikur qëndron. Në të vërtetë, po të përqëndrohemi në krahasimin e kostove me dy tunelet gati binjakë me të në Kroaci, sikur të dyja tunelet kroate të ndërtoheshin në periudhën 2021-2024 kur u ndërtua tuneli ynë, ata do të kushtonin seicili edhe më shumë se sa Tuneli i Llogarasë. Të dy së bashku, 422 milion euro!
Po pse? Rritja e kostove të ndërtimit të tuneleve gjatë dy dekadave të fundit është ndikuar nga një kombinim faktorësh: rritja e çmimeve të lëndëve të para, standardet më të rrepta të sigurisë, teknologjitë e reja të ndërtimit, kushtet gjeologjike, si dhe shtrenjtimi i punës dhe makinerisë. Për të kuptuar se sa janë rritur realisht kostot në Shqipëri dhe më gjerë, periudha 2003–2024 paraqet një evolucion të qartë.
Fillimet e dekadës së parë u karakterizuan nga teknologji më të kufizuara dhe standarde më të ulëta sigurie. Kosto mesatare në vitet 2003–2008 ishte 5–12 milionë euro/km për tunele rrugore. Lëndët e para kishin çmime relativisht të ulëta, ndërsa fuqia punëtore ishte shumë më e lirë se sot.
Periudha e dytë e viteve 2008–2016 solli shtim të ndjeshëm të kostove, pas krizës ekonomike dhe financiare botërore të viteve 2008-2011 dhe rritjes së standardeve të sigurisë. Kriza e madhe e çmimeve në materialet e ndërtimit në 2007–2010 pati impakt të fortë global, me çimenton që u shtuar me 40%, hekurin me 80% e me rradhë. Tunelet në këtë periudhë patën kosto mesatare në Ballkan 12–25 milionë euro/km, sipas vendit. Kjo, pasi u futën sisteme ventilimi më të sofistikuara, standardet europiane EN për sigurinë, etj. Këto kërkesa teknike rritën mesatarisht 20–30% çmimet për kilometër.
Periudha e viteve 2016–2020 solli stabilizim dhe teknologji më të lartë. Edhe pse çmimet e lëndëve të para u stabilizuan, teknologjia e re digjitale, sensorët, ventilimi smart dhe makineritë e gërmimit TBM u bënë më të shtrenjta. Kosto mesatare në rajon shkoi në 25–40 milionë euro/km për tunele me standarde të BE-së. Kushtet gjeologjike mbetën përcaktuese, pasi kur has shkëmb graniti, kosto del më e shtrenjtë.
Periudha e katërt e viteve 2020–2024 përkoi me COVID-19, me inflacionin galopant nga sulmi i Putin mbi Ukrainë dhe me rritjen dramatike të çmimeve të metaleve. Kjo periudhë shënoi edhe rritjen më të madhe të kostove të ndërtimit në 20 vitet e fundit. Arsyet ishin ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, dyfishimi i çmimeve të hekurit, si dhe shtimi i çmimit të naftës dhe energjisë. Ndërkohë, edhe fuqia punëtore u shtrenjtua me 30–40% në Ballkan. Kjo kohë përkoi me standardet e reja të sigurisë për tunelet më të mëdhenj se 2 km. Rezultati ishte një kosto mesatare ndërkombëtare për një km tunel në vitet 2020–2024 në rreth 35–60 milionë euro/km.
Tabela 2. Shtimi i kostove të ndërtimit të tuneleve 2003-2024
| Periudha | Kosto mesatare për km (rrugor) | Rritja vs. 2003 |
| 2003–2008 | 5–12 mln € | – |
| 2008–2016 | 12–25 mln € | +120% |
| 2016–2020 | 25–40 mln € | +220% |
| 2020–2024 | 35–60 mln € | +350–400% |
Kosto për km e Tunelit të Llogarasë është brenda mesatares së kostos në Ballkan
Në BE, disa tunele rrugore apo hekurudhore arrijnë edhe në 80–150 milionë euro/km. Në Ballkan, çmimet tipike për tunele standarde rrugore 2–6 km luhaten sot në 20–45 milionë euro/km. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, duke pjestuar 190 milionë euro me 5.9 km të gjatësisë së Tunelit të Llogarasë, kosto për një km del 32.2 milionë euro, brenda diapazonit të kostove të sotme në Ballkan.
Në tërësi, nga viti 2003 e deri në vitin 2024, kostot e ndërtimit të tuneleve në botë dhe në rajonin tonë janë rritur me 3.5-4 herë, në varësi të teknologjisë, gjeologjisë dhe standardeve të sigurisë.
Tabela 3. Shembuj ndërkombëtarë kostosh tunelesh
| Vendi | Kosto tipike/km | Karakteristika |
| Italia | 40–60 mln €/km | Gjeologji komplekse, standarde të larta |
| Zvicër | 70–90 mln €/km | Vende alpine me standardet më të larta |
| Greqi | 20–40 mln €/km | Të ngjashme me Shqipërinë |
| Kroaci | 25–40 mln €/km | Teknologji e BE-së, terren malor |
| Shqipëri (vlerësim tregu) | 15–40 mln €/km | Varësisht standardeve dhe tunelizimit |
Tunelet janë projekte me përdorim të madh çeliku, betoni dhe energjie. Të tre këto elementë janë shtrenjtuar në mënyrë të vazhdueshme. Nga ana tjetër, standardet europiane të sigurisë kërkojnë dalje emergjence çdo 250–500 m, ventilim të dyfishtë, sensorë temperaturash, tymi, trafiku, si dhe gurë mbështetës të fortifikuar. Kjo shton 20–30% të kostos.
Këto të vërteta teknike duhet t’i kemi parasysh, përpara se sa të themi qe Tuneli i Llogarasë është më i shtrenjti në botë.







