HomeKultureNë Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike...

Në Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike për dy kulturat

Advertismentspot_img

Më 8 dhjetor 2025, në sallën “Nicolae Bălcescu” të Pallatit të Parlamentit në Bukuresht u zhvillua promovimi i veprës “Dicționar român–albanez / Fjalor rumanisht–shqip”, hartuar nga Dr. Renata Melonashi -Topçiu dhe Dr. Luan Topçiu. Ky eveniment mblodhi përfaqësues të administratës qendrore, deputetë, sekretarë shteti, personalitete të botës akademike dhe të kulturës, si edhe anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Ishin të pranishëm kryetari i Grupit Parlamentar të Pakicave Kombëtare, prof. dr. Varujan Pambuccian, Sekretari i Shtetit Dincer Geafer, deputetët Ștefan Boudă dhe Frizcak Iulius Marian, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ish-ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Viorel Stanilă, ish-diplomati Gheorghe Bucura etc. Ishin, gjithashtu, të pranishëm Atë Ștefan Buchiu me origjinë shqiptare, ish-dekan i Fakultetit të Teologjisë në Bukuresht, i cili është djali i priftit të fundit që ka shërbyer në Kishën Ortodokse Shqiptare në Bukuresht. Morën pjesë profesorët e Universitetit “Ovidius” të Konstancës, të cilët janë edhe redaktorët e fjalorit, prof. dr. Cosmin Căprioară dhe prof. dr. Cristina Dafinoiu.
​Deputeti Bogdan-Alin Stoica dhe Kryetari i ALAR-it, Dr. Radu Săvulescu, theksuan se botimi i këtij fjalori përbën një moment historik për komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe jo vetëm. Ai është rezultat i një pune të gjatë e të mundimshme dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin e studimeve krahasuese midis dy gjuhëve dhe kulturave. Ngjarja u përcoll edhe nga Televizioni Publik Rumun, TVR1. Folësit e vlerësuan fjalorin si një arritje të shumëpritur dhe një moment të rëndësishëm në historinë e leksikografisë rumune dhe asaj shqiptare.
​Ky fjalor, me rreth 1.800 faqe, përmban 50.000 njësi leksikore dhe mbi 100.000 shprehje, idioma dhe struktura frazeologjike. Botuar nga Editura Asdreni, ai përfaqëson një vepër akademike të tipit thesar dhe plotëson dy korpuset themelore të leksikografisë dygjuhëshe: shqip–rumanisht dhe rumanisht–shqip. Kjo arritje është fryt i një pune shumëvjeçare, që kërkoi përkushtim, rigorozitet shkencor dhe bashkëpunim të ngushtë intelektual. Faqosja e volumit u realizua nga Znj. Clara Aruștei, bija e poetit të njohur rumun me origjinë shqiptare, Cezar Ivănescu, ndërsa digjitalizimi i kësaj vepre u krye nga Gresa Shukle, e cila punoi me përkushtim dhe vetëdije të lartë profesionale.
​Kjo vepër është vazhdimësi e një tradite të gjatë kërkimesh gjuhësore. Që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur në Europë lulëzonin shkollat e mëdha të gjuhësisë krahasuese, studiuesit vunë re afritë e thella ndërmjet rumanishtes dhe shqipes. Fjalori i ri i sistematizon dhe i dokumenton këto lidhje, duke ofruar për herë të parë një panoramë të plotë dhe të verifikueshme të marrëdhënieve midis dy gjuhëve. Fjalët-tituj u takojnë historisë dhe etnografisë, fesë dhe mitologjisë, shkencës dhe administratës, politikës, por më së shumti gurës popullore e stilit bisedimor popullor, që pasqyrojnë fizionominë e e dy kulturave, asaj shqiptare dhe rumune.
Përtej ekuivalentëve leksikorë, ai nxjerr në pah afri stilistike, paralele frazeologjike, ngjyrime të përafërta semantike dhe struktura shprehëse që pasqyrojnë botëkuptime dhe manifestime kulturore të ngjashme, sespe autorët kanë synuar jo vetëm paraqitjen sa më të plotë të leksikut të rumanishtes si dhe të spektrit semantik të fjalëve, përfshirë kuptimet e figurshme të tyre dhe kontekstet e përdorimit të tyre, por edhe pasurinë frazeologjike të dy gjuhëve, proverbat e përbashkëta, shpesh, të shoqëruara me informacione plotësuese me karakter historik, stilistik apo shkencor. Nga ana tjetër, fjalori rumanisht-shqip reflekton gjuhën shqipe në zhvillimin dhe diversitetin e saj stilistik, duke përfshirë fjalë të vjetra, arkaike, dialektore, krahinore etj. Kështu, fjalori bëhet jo vetëm një mjet i domosdoshëm për përkthim apo mësimin e dy gjuhëve, por edhe një hapësirë dialogu ndërkulturor dhe një terren i ri kërkimi për filologët në përgjithësi, për specialistëe e balkanologjisë, të gjuhësisë së krahasuar dhe fushave humaniste.
​Kjo arritje monumentale i vendos emrat e dy autorëve mes kontributeve më të rëndësishme të leksikografisë rumune dhe shqiptare.
​Realizimi i kësaj vepre do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin e institucioneve dhe dashamirësve. Autorët dhe botuesit shprehin mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështetën projektin.
​Botimi i fjalorit është realizuar me ndihmën financiare të shtetit rumun, nën kujdesin e deputit Bogdan-Alin Stoica dhe Presidentit të ALAR-it, albanologut Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, të cilët ofruan përkrahjen dhe ndihmën e tyre të pakushtëzuar për botimin e tij. Ky botim shënon një moment të rëndësishëm për botën akademike dhe për marrëdhëniet kulturore e gjuhësore ndërmjet dy popujve.

Zyra e shtypit ALAR
Bukuresht, dhjetor 2025

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular