Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij të pashembullt si Kryeprokuror i SPAK.
Integriteti dhe guximi i tij në mbajtjen e kriminelëve përgjegjës kanë forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës.
Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK.

Kreu i ri i SPAK, ambasadori gjerman uron Klodian Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, kyçe për integrimin e Shqipërisë
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ka përgëzuar Klodian Brahon për zgjedhjen e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar rëndësinë e kësaj strukture në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori Bergner nënvizoi se puna e SPAK-ut ka rol thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një proces që Gjermania e mbështet fuqimisht.
“Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,” theksoi Bergner.
Ai shtoi se për funksionimin e SPAK-ut mbeten të domosdoshme integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.
“I uroj shumë sukses Klodian Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare,” vijoi ambasadori.
Bergner shprehu gjithashtu mirënjohje për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke vlerësuar procesin transparent të zgjedhjes së drejtuesit të ri.
“Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës,” përfundoi ai.
Zgjedhja e Brahos në krye të SPAK, Gonzato: Mirëpresim bashkëpunimin
50 milionë kopje në 60 vende.Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvi Gonzato ka përgëzuar prokurorin Klodian Brahon për zgjedhjen e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Gonzato, i cili ishte i pranishëm në dëgjesat publike të katër kandidatëve për kreun e ri të SPAK, theksoi rëndësinë e procesit dhe rolin kyç që Prokuroria e PosaJme ka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, një nga prioritetet kryesore për integrimin europian të vendit.
“Kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetjen tonë për KLP, por edhe për të treguar interes në procedurën e emërimit. SPAK ka rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Është një nga kërkesat kyçe për në BE. Dje thamë që ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z.Braho dhe mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim”, u shpreh Gonzato.
Presidenti Begaj uron kreun e ri të SPAK, Klodjan Braho: Një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve te drejtësia
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur zgjedhjen e Klodjan Brahos në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Përmes një mesazhi publik në rrjetin social “X”, Kreu i Shtetit i ka uruar suksese drejtuesit të ri, duke e cilësuar këtë detyrë “si një mision jetik për vendin“.
Begaj theksoi se drejtimi i këtij institucioni kyç është një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve te drejtësia,.
“Drejtimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit është përgjegjësi e lartë dhe njëkohësisht një mundësi për të forcuar besimin e qytetarëve te drejtësia,” shkruan Presidenti.
Në reagimin e tij, Begaj vlerësoi gjithashtu punën e bërë nga paraardhësi i Brahos, Altin Dumani, duke nënvizuar se nën drejtimin e tij, SPAK ka prodhuar rezultate konkrete.
“SPAK nën drejtimin e Z. Altin Dumani, ka dhënë rezultate konkrete në këtë drejtim. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon vendosmëri, integritet dhe guxim. Suksese në këtë mision të rëndësishëm për vendin,”, përfundon mesazhi i Presidentit Begaj.
Rama uron drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho: Do të ketë mbështetjen e palëkundur të qeverisë
Kryeministri Edi Rama i ka uruar suksese në detyrën e re Klodian Brahos, pas zgjedhjes së tij në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Rama theksoi se SPAK ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë mbështetjen e qeverisë për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e punës së tij.
Kryeministri vlerësoi edhe punën për rezultatet e arritura të SPAK nga drejtuesi aktual, Altin Dumani.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, shkruan Rama në X.







