Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, lideri i saj, Sali Berisha, uroi dhe nderoi themeluesit dhe kontribuuesit e PD-së ndër vite, duke theksuar se kujtimet, veprat dhe trashëgimia e tyre mbeten krenaria e demokratëve.
Berisha përmendi veprën e themeluesve dhe figurave të shquara të partisë, duke nisur nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Bujar Nishani, Sokol Olldashi dhe Genti Bogdani, si dhe dhjetëra drejtues, deputetë dhe qeveritarë të tjerë që kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e PD-së.
“Urimet më të përzemërta në 35 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, partisë më të jashtëzakonshme. Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite.
Nderim dhe mirënjohje të pakufijshme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë! Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko. Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori. Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia.
Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani. Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Genti Bogdani”, tha Berisha.
Berisha theksoi rolin e PD-së në ndërtimin e pluralizmit politik dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai kujtoi se që në ditën e parë, PD-ja i dha Shqipërisë dhuratën më të çmuar pas pavarësisë: pluralizmin politik dhe lirinë.
“Ne jemi forca politike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, e para në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kurrë shqiptarët nuk kanë pasur një avokate më të pamposhtur të interesave të tyre sa Partia Demokratike”, tha Berisha.
Berisha përfundoi duke nënvizuar se PD-ja mbetet mbrojtëse e lirive, pluralizmit dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.







