Nga Bujar Leskaj
Më datat 10-12 dhjetor 2025, vendin tonë dhe Kuvendin e Shqipërisë e viziton një delegacion polak i Sejmit, Dhomës së Ulët të Parlamentit polak, i përbërë nga deputeti Bartosz Romowicz, Kryetar i Grupit Parlamentar Polako-Shqiptar, deputeti Piotr Górnikiewicz, Nënkryetar i Sejmit, deputetja Teresa Pamuła, Nënkryetare e Sejmit, deputeti Paweł Śliz – Anëtar i Sejmit dhe Grzegorz Kowal, sekretar i Sejmit. Deputetët Bartosz Romowicz, Piotr Górnikiewicz dhe Paweł Śliz janë anëtarë të partisë “Rruga e Tretë – Polska 2050”, e cila bën pjesë në koalicionin aktual qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Donald Tusk, i cili ka shërbyer edhe si President i Këshillit të Evropës në vitet 2014-2019. Deputetja Teresa Pamuła është deputete e Partisë Ligj dhe Drejtësi, aktualisht në opozitë.
E përcjell këtë shkrim, në respekt të kësaj vizite, këtyre parlamentarëve të nderuar dhe Ambasadorit të Polonisë në Shqipër, z.Wojciech Unolt.
- Polonia- bastion i fuqishëm i NATO-s në Evropë
Polonia është shtyllë e fuqishme e NATO-s në Evropë dhe fuqia e katërt ushtarake e Evropës. Që nga anëtarësimi i Polonisë në NATO në vitin 1999, vendi ka modernizuar ushtrinë e tij, ka rritur kapacitetet dhe mjetet luftarake të fjalës së fundit, me trupa të mirëtrajnuara nga specialistët më në zë të NATO-s.
Qeveria polake ka deklaruar se shpenzimet ushtarake për vitin 2026 do të rriten në 4.8 përqind të Prodhimit Bruto të Vendit (PBB. Kjo shifër përbën nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake vjetore, krahasuar me prodhimin kombëtar, mes të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.
Shteti polak synon të blejë sistemet raketore HIMARS nga SHBA-të. Polakët kanë nënshkruar me Shtetet e Bashkuara kontrata për furnizimin me 32 avionë luftarakë F-35, 366 tanke Abrams dhe sisteme antiraketë Patriot. Varshava gjithashtu ka nënshkruar një kontratë me Turqinë për furnizimin e dronëve Bayraktar.
Ne kemi shumë për të përfituar nga përvoja ushtarake polake, sidomos me perpjekjet e fundit të qeverisë polake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit. Lech Kaczynski, Presidenti i vrarë i Polonisë në një aksident ajror në vitin 2010, në rrethana të dyshimta, si dhe arkitekti i Polonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, është shprehur se vendi i tij duhet të bëhet “më i vetë-mjaftueshëm ushtarakisht, për të kundërshtuar revanshizmin rus”.
Papa polak Gjon Pali i II-të, së bashku me personalitetet botërore Presidentin Amerikan Ronald Reagan dhe Presidentin rus Mikail Gorbaçov, ishin arkitektët e dizintegrimit të perandorisë së kohës, të quajtur Bashkimi Sovjetik dhe të agimit të lirisë në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë Ukrainën.
Presidenti Kaczynski ishte përfaqësuesi më i fuqishëm i linjës kundër ndikimit revanshist rus në Poloni dhe në tërësi në Evropën lindore. Sot kjo linjë është mbizotëruese në qeverinë dhe shtetin polak, duke parë dhe kërcënimin e shtuar që vjen nga agresioni i Putin në Ukrainë.
Në Poloni janë shumë të qartë për revanshizmin perandorak rus. Kjo qartësi mund dhe duhet t’u shërbejë politikanëve tanë të mos ushqejnë iluzione ndaj rolit të Serbisë në rajonin tonë. Rusia është dhe mbetet aleati më i madh politik dhe ushtarak i Serbisë. Rusia e Putin ushqen aspirata te thella hegjemoniste dhe revanshiste karshi vendeve te Ballkanit. Asnjë nismë që i shërben politikës ekspansioniste të Rusisë në rajon, qoftë edhe e mbuluar me petkat e liberalizimit tregtar, nuk duhet të përkrahet nga partitë tona politike dhe politikanët tanë.
- Polonia, aleati numër një i Ukrainës në Evropë
Që nga fillimi i agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Polonia ka treguar solidaritet të fortë me Ukrainën. Mbi 6 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin polak në kërkim të sigurisë dhe mbi 1,5 milionë prej tyre kanë marrë statusin e azilit në Poloni, ku janë mikpritur nga shteti, qeveria dhe qytetarët polakë.
Qeveria e këtij vendi dhe mbarë shoqëria polake mbështet kursin politik të Ukrainës për në BE. Qytetarët polakë janë të angazhuar në mënyrë aktive për të ndihmuar Ukrainën. Iniciativat vullnetare, të tilla si fushata popullore për mbledhjen e fondeve për të blerë dronët luftarakë Bayraktar për Ukrainën, kanë frymëzuar dhe motivuar si ushtrinë ukrainase, ashtu edhe civilët ukrainas.
Duke qenë një aleate e vendosur e Ukrainës, Polonia po bën histori, pasi Ukraina po mbron lirinë dhe demokracinë botërore, ndërsa Rusia e Putin lufton për ambicie dhe diktaturë neo-perandorake. Parlamenti polak miratoi një ligj për statusin special të ukrainasve në Poloni në qershor 2022, duke vendosur garanci ligjore dhe sociale për qytetarët ukrainas që banojnë në Poloni.
- Polonia, mbështetëse e vendosur e integrimit të plotë të Shqipërisë në BE
Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provomuese e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Që kur iu bashkua Bashkimit Europian në vitin 2004, për gjithë këta 21 vite, Polonia ka qenë mbështetëse e politikës së zgjerimit të Unionit. Qeveria polake dhe qytetarët e saj e vlerësojnë këtë si një prej politikave më efektive, jo vetëm per efektet pozitive që kanë fondet e BE-së mbi rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në vendet që i janë bashkuar dhe po i bashkohen BE-së, por gjithashtu në aspektin gjeopolitik, përkatësisht në zhvillimin e një zone të stabilitetit dhe begatisë në të gjithë Europën.
Polakët dhe qeveria e tyre dëshirojnë që Bashkimi Evropian të jetë i hapur, transparent, i sigurt dhe i afërt me qytetarët. Vizioni tyre për BE-në bazohet mbi premisat se BE i bashkon vendet që ndajnë të njëjtat vlera dhe histori. Për këtë arsye, polakët besojnë fort se Shqipëria duhet të jetë në BE. Politika e zgjerimit sjell rezultate të prekshme: qëndrueshmëri, rritje ekonomike dhe begati. Polakët mendojnë se Bashkimi Evropian i përforcuar në këtë mënyrë, pra duke u zgjeruar, duke folur me një zë, ndërkohë dhe duke ruajtur qartazi ndjeshmërinë kombëtare dhe identitetin e vendeve anëtare dhe kandidate, duke trajtuar njëlloj dhe me ndershmëri të gjithë anëtarët e tij dhe duke gëzuar lidhje të forta ndëratlantike, mund të ketë rol në botë dhe të zgjerojë këtë zonë të jashtëzakonshme sigurie dhe prosperiteti.
Me 5 dhjetor 2025, Polonia e shpalli zyrtarisht të ndaluar Partinë Komuniste, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili konfirmoi se programi dhe ideologjia e kësaj partie janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën polake.
Qeveria polake gjykon se, për të arritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Europë, Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë me vendosmëri politikën e tij të zgjerimit dhe të mbështesë reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që vendet e rajonit të bëhen anëtarë të BE-së sa më shpejt në të ardhmen. Politika e zgjerimit ka gjithashtu një ndikim të madh në rritjen ekonomike të BE-së dhe vendeve kandidate, duke i lejuar ato t’i përgjigjen më mirë sfidave, si përmirësimi i nivelit të jetesës së njerëzve dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kur Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, qeveria polake ishte ndër të parat që tregoi solidaritet dhe solli ekipe shpëtimi. Në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë, të organizuar më 17 shkurt 2020 në Bruksel, qeveria polake angazhoi 2.7 milionë euro për të mbështetur rindërtimin e infrastrukturës në Shqipëri, gjë që e vendosi Poloninë në grupin e dhuruesve më të mëdhenj. Mbështetja financiare e Polonisë gjatë Konferencës së Donatorëve ishte një shprehje e miqësisë polako-shqiptare.
Në parathënien e librit “100 Simbolet Polake”, të përkthyer në shqip nga audituesit e KLSH, gjatë kohës që kam patur nderin të jem në krye të këtij institucioni, theksohet se “Rruga e Polonisë drejt Europës ka qenë e gjatë, me barriera dhe ka zgjatur më shumë se dhjetë shekuj. Në një moment të historisë, Polonia u fshi nga harta botërore, por kombi polak ishte i fortë dhe këmbëngulës për të rivendosur Poloninë në kufijtë e saj tradicionalë në zemër të Europës”.
Një nga simbolet që më ka tërhequr veçanërisht në këtë libër është Himni kombëtar i Polonisë, i cili quhet “Mazurek Dabrowskiego” (Mazurka e Dabrowskit). Të rrallë janë himnet kombëtare të vendeve të botës ku shpirti kombëtar shprehet aq mirë sa te himni polak. Ai ka një histori të veçantë. Mazurka është një valle e njohur popullore polake, që shpesh luhet duke u kënduar. Mazurka e Dabrowskit është krijuar si valle e kënduar dy vjet pas ndarjes së tretë të Polonisë mes fuqive të mëdha fqinje me të, ndarje që ndodhi në vitit 1795 dhe e zhduku Poloninë përkohësisht nga harta.
Mazurka e Dabrowskit u kompozua si himn për legjionin polak, i cili luftonte për Republikën Franceze në Itali. Revolucioni Francez kishte marrë përsipër çlirimin e popujve të shtypur të Europës. Luftëtarët polakë, të mbetur pa shtet, i ishin bashkuar ushtrisë franceze, me shpresën që duke ndihmuar popujt e tjerë të Europës të çliroheshin, këta së bashku do ta ndihmonin popullin polak që të çlirohej dhe të rindërtonte Shtetin e tij. “Polonia nuk është zhdukur/Polonia nuk ka humbur!”, këndohet në himnin e legjionit polak të Italisë, që, përpara se të bëhej Himni Kombëtar Polak, në shekullin XX-të, u përhap në trojet e banuara nga polakët, duke kaluar gojë më gojë. Miqtë e mij të Grupit Lab “Çipini’, në këngën e veçantë kushtuar Polonisë dhe kombit fisnik polak, këndojnë: ”E gdhendën hymnin hyjnor/polakët me shpatë në dorë!”.
- Bashkëpunimi Shqipëri-Poloni
Presidenca polake e Procesit të Berlinit gjatë viteve 2018-2019 ndihmoi Shqipërinë për të forcuar pozicionin e saj në paketën e mbështetjes së Axhendës së Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos pas Sesionit Plenar të Poznanit, në korrik 2019, duke ruajtur interesin e BE-së për të përgatitur Ballkanin Perëndimor që të bashkohet me Bashkimin Evropian.
Presidenti polak i viteve 2015-2025 Andrzej Duda ishte pasardhës i denjë i dy presidentëve të mëdhenj polakë Lech Walesa dhe Lech Kaczynski, si dhe mik i madh i Shqipërisë.
Polonia dhe Shqipëria kanë sot bashkëpunim në shumë fusha. Në nivelin politik Polonia ndan përvojën e saj të periudhës së shndërrimeve dhe bisedimeve hyrëse përmes forumit të këshillimeve dypalëshe të cilësuar si Konferenca e Tiranës.
Ruaj kujtime të pashlyeshme dhe sjell në vëmendje me respekt dhe mirënjohje të thellë, kontributin e jashtëzakonshëm të ish Presidentit të NIK z. Jacek Jezierski, të ish Zv/Presidentit te NIK, z. Wojciech Kutila, si dhe të ish-Presidentit te NIK z. Krzysztof Kwiatkowski(sot anëtar i nderuar i Senatit Polak), në zhvillimin e kapaciteteve profesionale te audituesve të Kontrollit të Lartë te Shtetit për periudhën 2012-2018, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave me kolegët dhe ekspertët polakë te NIK, sipas moto-s së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus Prodest” dhe Nenit 15 të Deklaratës së Limës.
Bashkëpunimi me Poloninë në fushën e arsimit të lartë gjithashtu po shkon mirë. Qendra e Studimeve Europiane në Universitetin e Varshavës ka hapur një degë kërkimi në Universitetin e Tiranës, si dhe një kurs të gjuhës polake, duke nxitur bashkëpunimin mes Universitetit të Varshavës dhe institucioneve të tjera të larta arsimore polake me ato shqiptare e ballkanike.
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe. Edhe pse vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve është modest, rreth 100 milionë euro në vit, potencialet janë të mëdha dhe në fushën e investimeve ka shumë mundësi për rritje. Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë gjithnje e më të interesuar për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Ata e vlerësojnë bukurinë e natyrës së saj dhe mikpritjen shqiptare. Shumica e turistëve zgjedhin qytetet bregdetare, por gjithmonë e më shumë po vendosin të zbulojnë pjesët malore të Shqipërisë. Në pesë vitet e fundit, rreth 412 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë, duke përbërë grupin e dytë më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
xxx
Me popullin polak na lidhin shumë gjëra, përsa i përket historisë dhe integritetit shpirtëror. Të dyja kombet tona janë pushtuar dhe kanë rrezikuar ekzistencën, por kanë ditur të ringrihen me fort se më parë.
Në parathënien e librit “100 Simbolet Polake”, theksohet se “Rruga e Polonisë drejt Europës ka qenë e gjatë, me barriera dhe ka zgjatur më shumë se dhjetë shekuj. Në një moment të historisë, Polonia u fshi nga harta botërore, por kombi polak ishte i fortë dhe këmbëngulës për të rivendosur Poloninë në kufijtë e saj tradicionalë në zemër të Europës. Që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, Polonia ka qenë një partner i denjë dhe i qenësishëm. Vendi i përmbahet motos së Bashkimit Europian “In varietate concordia (nga latinishtja, “unitet në diversitet”, ose “bashkim në shumëllojshmëri”) dhe ndërkohë arrin të ruajë karakteristikat e tij të veçanta, sharmin e tij të shkëlqyer, ndoshta shumë të vështirë për t’u arritur në ditët e sotme nga kombe të tjera të kontinentit të vjetër”.







