Dhimitër Fallo ishte përkthyes, gazetar. Lindi në Voskopojë, më 1899. Ka jetuar për një periudhë në Bashkimin Sovjetik ku është shkolluar dhe ka rënë në kontakt me idetë e majta.
Emigroi nga Rusia në Stamboll në vitin 1921, ku zhvilloi aktivitet patriotik. Në Stamboll bëhet anëtar i shoqërisë së drejtuar nga Riza Drini, “Djemënia Shqiptare”, duke thyer konceptet regjionale të kolonive shqiptare. Kthehet në atdhe pas një viti. I njohur në Korçë si një nga intelektualët më të kultivuar të viteve ‘20-’30, kontribuon si përkthyes i veprave emancipuese perëndimore duke i dhënë tonin botimeve. Bashkëpunon me botuesit Dhori Koti, Petraq Peppo etj.. Boton shkrime në revistat letrare të kohës si “Minerva” dhe “Illyria”. Duke e njohur nga afër komunizmin vendosi aderimin në partinë Balli Kombëtar. Më 1943 zgjidhet anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Korçë. Në vitin 1944 niset nga Tirana për në Korçë, nga do të nisej për në Selanik ku do të përfaqësonte Ballin Kombëtar, bashkë me Koço Kotën dhe kolonel Xhavit Leskovikun, në marrëveshjen me nacionalistët greko-shqiptarë. Kur mbërrin në Korçë, i zënë pritë pranë shtëpisë dhe e vrasin. Më 19 qershor 1993, komisioni i ngritur për vërtetimin e kohës së dënimit me heqje lirie, të faktit të faktit të vdekjes së personit pa qenë i dënuar dhe të pushkatuarve pa gjyq, vendosi njohjen e faktit të vrasjes pa gjyq të Dhimitër Fallos, për motive politike, më 26 korrik 1944 në Korçë
DOKUMENTI
Historiani Kastriot Dervishi në një shkrim të para disa vitesh publikoi një dokument të vitit 1944, të Luftës së Dytë Botërore. Dervishi shkruante se ky dokument i është marrë pas vdekjes Dhimitër Fallos, letër e cila tregon se Balli Kombëtar kishte shkëmbyer informacione me qeverinë Greke. “Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mit’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë. Mit’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza, Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të)”, shkruan Dervishi. Sipas tij përveç idesë së konfederatës, qëllimi ishte që Greqia të njihte kufirin jugor të Shqipërisë, si dhe të kërkonte në konferencën e paqes që Kosova e viset e tjera në Jugosllavi të bashkoheshin me Shqipërinë. Pikërisht këtë të fundit, ata që e akuzojnë Mit’hat Frashërin për “shitje”, nuk e përmendin fare në sulmet e tyre. Përdorimi i veçantë i emrit të tij, nuk është bërë veçse me dashakeqësi. Njëri nga personat që ishin në bisedimet e Selanikut, ishte Dhimitër Fallo (1899-1944). Ai dërgoi dy raporte të datave 18 dhe 23 prill 1944. Fallo u vra nga komunistët më 31.7.1944 në Korçë, në kohën që bisedimet ishin ndërprerë e nuk po zhvilloheshin. Ka gjasa që kjo ndërprerje të ketë ardhur për shkak të masakrave në Çamëri. Dokumentet që iu zunë Dhimitër Fallos, u trumbetuan nga komunistët si akte të “tradhtisë kombëtare”.
BISEDIMET
Sipas studiuese Sonila Boci, nacionalistët shqiptarë ishin më të interesuar për një marrëveshje. Krijimi i një federate apo konfederate greko-turko-shqiptare, në këndvështrimin e tyre, do ta parandalonte rrezikun komunist apo pansllavizmin në Ballkan. Kjo vërtetohet dhe nga fakti që në të njëjtën kohë kur Dhimitër Fallo raportohet të ketë marrë kontaktet e para me personalitetet lokale greke, Rakip Frashëri, djali i Mehdi Frashërit, u dërgua në Turqi me një propozim të ngjashëm. Misioni i Dh. Fallos filloi në shkurt të vitit 1944. Sipas kujtimeve të Krisohut, menjëherë pas mbërritjes në Selanik, Dh. Fallo u takua me Aleksandër Orolloganë, një gazetar, i cili kishte pranuar të bëhej ndërmjetësi midis tij dhe Fallos. Në javën e parë të shkurtit të vitit 1944, u zhvillua takimi i parë jozyrtar mes Krisohut dhe Fallos. Falloja I paraqiti A. Krisohut një dokument të hartuar në shqip dhe të përkthyer në frëngjisht, sipas të cilit Dhimitër Falloja paraqitej si i dërguari zyrtar i qeverisë shqiptare. Ai e njoftoi, Krisohun se në Tiranë ishte krijuar tashmë një Shoqatë shqiptaro-greke, ku merrnin pjesë “shqiptarët më të njohur”, të cilët kishin pranuar idenë e një shteti dualist greko-shqiptar me të drejta të barabarta.
Arsyetimi i Fallos ishte se një federatë e tillë ishte e dobishme si për Shqipërinë, ashtu edhe për Greqinë. Shqipëria, në opinionin e Fallos, ishte një shtet i vogël dhe i paaftë të vetekzistonte pa ndihmën e një shteti tjetër. Në mënyrën se si po rridhnin punët, dukej se Fronti pansllav në Ballkan po rritej, i vetmi shpëtim ishte që Greqia, Shqipëria dhe Turqia si shtete josllave të Ballkanit, duhet të bashkoheshin. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë ato të 1939-ës, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës dhe tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të Pasluftës. Në lidhje me çështjen e minoriteteve në projekt parashikohej që ato të shiheshin “si mjet afrimi mes dy palëve dhe jo mjet largimi. Ta kini ndërmend se minoritetet duhen t’i këqyrin mirë të dyja palët dhe të kenë të drejtat e tyre”. Për Krisohun, pala shqiptare duhet të plotësonte dy kushte paraprake, në mënyrë që ai t’ia paraqiste këtë propozim qeverisë së tij. Kushti i parë ishte që propozimi i palës shqiptare të pranonte “dorëzimin e Vorio Epirit”.
Kushti i dytë lidhej me ndalimin, sipas Krisohut, të persekutimit të minoritetit grek. Për kushtin e parë, Falloja premtoi se do ta diskutonte çështjen me anëtarë të komitetit shqiptaro-grek dhe qeverinë shqiptare. Në lidhje me çështjen e persekutimit të minoritetit grek, Falloja sqaroi se minoriteti grek në Shqipëri nuk pësonte asnjë persekutim. Po sipas studiuese Boci, ai i sqaroi gjerë e gjatë Krisohut situatën politike në Shqipërinë e Jugut. Lufta civile midis komunistëve dhe nacionalistëve e kishte ndarë jugun e vendit dhe popullsia po pësonte dëme të shumta për shkak të saj.
Minoriteti grek ishte gjithashtu i ndarë mes komunistëve dhe nacionalistëve dhe po pësonte dëme si pasojë e përfshirjes në luftën civile shqiptare. Më 7 shkurt 1944, ish-kryeministri i Mbretërisë Shqiptare, Koço Kota, shkoi në Selanik nga Athina, ku ishte vendosur pas pushtimit italian të Shqipërisë. Sipas kujtimeve të Krisohut, ai ishte caktuar nga qeveria shqiptare si kryetar i komitetit greko-shqiptar dhe një nga negociuesit e bashkimit shqiptarogrek. Në deponimet e tij në gjyqin special, Koço Kota, nuk pranon të ketë qenë kryetar i delegacionit, por një pjesëmarrës në bisedime si person privat, madje ai ka mohuar të ketë përfaqësuar në bisedime Partinë e Legalitetit.
Më 8 shkurt 1944, Koço Kota, Dhimitër Fallo, Kostandin Godi, Selim Mborja u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, me Krisohun dhe Aleksandër Orolloganë. Të nesërmen Athanasios Krisohu, përpiloi një raport të hollësishëm për bisedimet e zhvilluara dhe ia dërgoi atë qeverisë kuislinge greke të kryesuar nga Joan Ralisi. Ai njoftonte qeverinë e tij se kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë ishin: “Kombi shqiptar mund të drejtohej drejt këtij bashkimi për sa kohë që dinjiteti dhe krenaria e tij nuk prekeshin. Në këtë mënyrë, dispozitat e mundshme për bashkimin ishin këto: a) Një komb i unifikuar me pavarësi lokale në lidhje me administratën, drejtësinë, edukimin dhe autoritetin politik. b) Politikë të jashtme të unifikuar me atë të Greqisë. c) Mbrojtje kombëtare të unifikuar me një ushtri nën Ministrinë e Luftës së Athinës. d) Një politikë ekonomike të unifikuar me atë të Greqisë dhe heqjen e tatimeve doganore midis dy vendeve”. Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim gjerman dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve.







