Kryeministri Edi Rama ka marrë mbështetjen e liderëve evropianë për anëtarësimin e Shqipërisë brenda vitit 2030 në familjen evropiane.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, ai takoi fillimisht kreun e Këshillit Evropian, Antonio Costa, e më pas shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
Në deklaratat e tyre, liderët evropianë vlerësuan sidomos reformat e shteteve pararojë, si Mali i Zi dhe Shqipëria.
“Jam shumë i kënaqur që vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë përparim, në veçanti Mali i Zi dhe Shqipëria. Unë besoj se ato kanë perspektivë të mirë për t’u bërë së shpejti anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Christian Stocker, kancelar i Austrisë.
Në samit mungoi Serbia, gjë që u nënvizua si mungesë serioze nga kryeministri hungarez Orbán, i cili mbështeti idenë e integrimit të shpejtë të rajonit tonë në BE.
Liderët evropianë synojnë që të realizojnë anëtarësimin e Malit të Zi në vitin 2028 dhe të Shqipërisë në vitin 2029.
Nuk ka gjetur vend ideja e Vuçiçit për anëtarësimin në të njëjtën kohë të të gjashtë shteteve ballkanike.
Në nisje të agjendës, Kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa

Samiti BE-Ballkani Perëndimor ka si qëllim të forcojë lidhjet mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, duke u fokusuar në tre shtylla kryesore: avancimin e integrimit gradual, rritjen ekonomike dhe promovimin e stabilitetit politik dhe sigurisë.
Një nga temat kryesore është lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve, përmes iniciativës së njohur si “Roam like at home”, e cila synon të eliminojë barrierat dhe kostot shtesë për udhëtimet në rajon. Gjithashtu, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë projekte infrastrukturore, investime strategjike dhe reforma ekonomike që fuqizojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
Në këtë samit marrin pjesë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina – si dhe komisionerët kryesorë të BE-së. Samiti shërben si një platformë për dialog të drejtpërdrejtë dhe koordinim të politikave rajonale, duke rritur perspektivën europiane të rajonit dhe promovuar bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.







