Këshilli i BE për Çështje të Përgjithshme ka miratuar konkluzionet për procesin e zgjerimit.
Raporti vë theksin te përparimi i bërë nga Shqipëria në kuadër të negociatave për anëtarësim, ndërsa ka përgëzuar angazhimin e qeverisë për anëtarësim të plotë brenda 2030-ës.
Këshilli evidenton se në këtë proces për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, do duhet që të gjitha forcat politike të intensifikojë përppjeket dhe të bashkëpunojnë për përparim të mëtejshëm.
Këshilli kujton rolin thelbësor të parlamentit të Shqipërisë në debatin dhe miratimin e reformave të lidhura me BE-në dhe sigurinë që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent. Këshilli thekson se përparimi në grupin e bazave themelore do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Në këtë kudër, Këshilli inkurajon Shqipërinë që të intensifikojë reformat në fushën e bazave themelore, veçanërisht për të përfunduar plotësimin e pikave të ndërmjetme në kapitujt e sundimit të ligjit, 23 dhe 24, të cilat do t’i mundësonin Shqipërisë të fillonte mbylljen e përkohshme të kapitujve të negociatave. Shqipëria gjithashtu duhet të intensifikojë punën për të arritur përmbushjen e pikave përfundimtare në të gjitha kapitujt e negociatave.
Zgjedhjet e 11 majit
Një vëmendje të veçantë në raport, e zënë dhe zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Këshilli vëren se zgjedhjet parlamentare ishin konkurruese, megjithë mangësitë e identifikuara, të cilat duhet të adresohen. Në këtë kuadër, Këshilli thekson nevojën për një reformë të gjerë zgjedhore në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Sundimi i Ligjit
Në fushën e bazave themelore, përfshirë sundimin e ligjit, Këshilli vë në dukje në mënyrë pozitive zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi nga Shqipëria dhe thekson nevojën për të ruajtur integritetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor duke zbatuar standardet e larta të vendosura nga procesi i vetingut. Këshilli thekson rëndësinë e pavarësisë së sistemit gjyqësor, përfshirë Strukturën e Posaçme për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit gjyqësor kundër ndërhyrjeve të brendshme ose të jashtme.
Këshilli gjithashtu kujton rëndësinë që Shqipëria të sigurojë mbrojtje efektive gjyqësore dhe zbatim të qëndrueshëm të vendimeve të gjykatave.
Lufta ndaj Korrupsionit
Këshilli mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e fton që të ndërtojë një bilanc të fortë dhe të forcojë kapacitetet e saj në trajtimin e këtyre çështjeve. Po ashtu, Këshilli mirëpret rezultatet pozitive që janë arritur tashmë nga SPAK dhe gjykatat e tij, përfshirë në rastet e korrupsionit të niveleve të larta. Këshilli ribën thirrje që kontrolli i forcuar dhe konsolidimi i kapaciteteve për të mbrojtur interesat financiare të BE-së janë të rëndësishme.
Këshilli mirëpret përparimin e bërë, përfshirë miratimin e legjislacionit mbi të drejtat e personave që i përkasin grupeve kombëtare të pakicave në fushat e vetëidentifikimit dhe përdorimit të gjuhëve të pakicave, mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbi barazinë gjinore. Ai kujton rëndësinë që Shqipëria të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e të drejtave themelore.
Liria e mediave
Duke u ndalur te media, Këshilli thekson se liria e shprehjes dhe mediave ka nevojë për t’u forcuar.
“Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet për të forcuar pluralizmin dhe pavarësinë e mediave, përfshirë duke siguruar dekriminalizimin e plotë të fyerjes, rritjen e transparencës së pronësisë dhe financimit të mediave dhe krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët”, theksohet në raport.











