HomeKryesoreImuniteti i Ballukut/Rama i prerë: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën e SPAK-ut...

Imuniteti i Ballukut/Rama i prerë: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën e SPAK-ut pa vendosur Kushtetuesja! E mbështetëm Endrit Shabanin si kandidat të opozitës!

Advertismentspot_img

Kryeministri Edi Rama ka transmetuar këtë të dielë podkastin e tij javor “Flasim”, ku ka komentuar zhvillimet kryesore politike të ditëve të fundit, duke nisur nga takimi i tij me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë, samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, shqetësimet për përdorimin masiv të paraburgimit dhe sfidat e Reformës në Drejtësi, zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit, si dhe kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Lidhur me çështjen e fundit, Rama deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku, derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin për çështjen në fjalë.

“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.  E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër.  Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart. 

Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të ‘torturave’ të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon.”, deklaroi Rama.

Rama kundra përdorimin në masë të paraburgimit në Shqipëri: Kemi rekord negativ në Europë!

Rama komentoi problematikat e sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke theksuar shqetësimet për përdorimin masiv dhe shpesh të pajustifikuar të paraburgimit.

Rama u shpreh se si nga analiza e tij por edhe nga raporti i ekspertëve të Këshillit të Europës tregojnë një nivel të lartë të personave në paraburgim, shumë larg praktikave të vendeve të Bashkimit Europian.

“Siç e kam përmendur disa ditë më parë kemi nisur analizën e thelluar të shenjave shqetësuese të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, pas dy kulminacioneve shumë të forta: Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi. Mes të tjerash këto dite, kam rilexuar një raport të para disa kohësh, shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri – një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po.  Më lini të ndaj me ju disa pika kyçe të këtij raporti: Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional.”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, gjykatat nuk përdorin sa duhet masat alternative ndaj paraburgimit, duke çuar në mbipopullim të burgjeve me persona të padënuar.

Ndërsa renditi një sërë problematikash të tjera, Rama theksoi nevojën për një ndryshim strategjik, duke përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më të fortë nga gjykatat e apelit dhe zbatimin e një sistemi funksional të masave alternative.

“Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar. Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (‘arsye të rëndësishme’, ‘rrezik i veçantë;) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar. 

Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit. Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht original në brutalitetin e vet.

Së katërti: Mosgarantimi i të drejtës së mbrojtjes. Korniza aktuale ende nuk garanton plotësisht aksesin efektiv te avokatit që në fazat më të hershme të procedimit. Disponimi i materialeve të çështjes mund të vonohet, dhe mungon regjistrimi sistematik audio/video i marrjes në pyetje. Gjithë këto para, gjithë këto fonde të dhëna në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sot e gjithë ditën merren në pyetje njerëzit pa video, pa audio. Pikëpyetje shumë e madhe kjo. Dhe kjo, thotë raporti, e dobëson aftësinë e mbrojtjes për të sfiduar ligjshmërinë e paraburgimit dhe përmbajtjen e akuzës. E së fundi, nga pikat që unë kam nxjerrë, raporti është rrëqethës, po të kesh parasysh që është shkruar edhe me gjuhën shumë diplomatike të Këshillit të Europës. Dimensioni strukturor dhe kulturorEdhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithsisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale. Kërkohet një ndryshim strategjik, përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative.”, tha Rama, duke paralajmëruar se kjo temë do të diskutohet më tej dhe se reforma në drejtësi kërkon angazhim të vazhdueshëm.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit| Rama: Ne e mbështetëm Endrit Shabanin si kandidat të opozitës!

Rama komentoi gjithashtu “kaosin” që sipas tij shkaktoi opozita gjatë seancës parlamentare të 18 dhjetorit, ditën kur Endrit Shabani u betua si Avokat i Popullit. Ai tha se shumica socialiste e mbështeti Shabanin si një kandidat të propozuar nga opozita, pavarësisht që ky kishte thënë gjëra kundër Partisë Socialiste dhe personalisht ndaj tij.

“Endrit Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë. Kurse ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër.”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se opozita nuk mund t’i imponojë shumicës socialiste vendime me pahir dhe i konsideroi qesharake  reagimet në Parlament të deputetëve demokratë.

“Opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100 vjeçar. Pra e mbështetën Endrit Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita, do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim Avokat të Popullit ndonjë kandidatin tonë. Qesharakë deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë. Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që ne nuk e kuptojmë.”, deklaroi ai.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Shqipëria në kushtet më të mira për integrimin europian

Kryeministri komentoi gjithashtu pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua këtë javë në Bruksel, duke e cilësuar si një tjetër rast për të vlerësuar progresin e vendit dhe rajonit drejt Bashkimit Europian.

Rama theksoi se Shqipëria arriti të paraqitet në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës dhe reformave të ndërmarra në vend.

“Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, u zhvillua në Bruksel, një tjetër pikëtakimi e Shqipërisë me Europën në nivelin më të lartë, ku u bë bilanci i progresit tonë si rajon drejt BE-së dhe ku Shqipëria u gjend në kushtet më të mira në sytë e Europës, si rezultat i punës së madhe dhe arritjeve positive, këtu në shtëpinë tonë. Theksova se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave për ne përbën një inkurajim shumë të madh, por përsërita domosdoshmërinë që Komisioni Europian dhe patjetër edhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të pranishëm në Këshillin Europian të respektojnë marrëveshjen për përfundimin e negociatave brenda 2027, duke nënvizuar se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit duhet të përshpejtohet politikisht. Kam nënvizuar po ashtu, se Shqipëria padiskutim do t’i vazhdojë reformat modernizuese dhe do t’i vazhdojë pa u lëkundur përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo për Brukselin, por për interesin tonë strategjik kombëtar.”, tha Rama.

Vizita te Thaçi në Hagë, Rama: Si e gjeta…

Ai e nisi fjalën e tij me vizitën që bëri në Hagë, ku vizitoi ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Rama e cilësoi këtë takim si një moment të veçantë dhe simbolik, duke theksuar se e gjeti Thaçin të qetë dhe të buzëqeshur.

“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e Luftës Çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë dhe vëllaun tim matanë bjeshkëve, ishte një moment shënjues i javës që shkoi. Ai u rrëmbye, u rrëmbye pa gjyq, u rrëmbye pa akuzë, nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, me vullnetin e vet të lirë. U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.  E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij.”, tha Rama.

Kryeministri shprehu mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen prej vitesh me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Sipas Ramës, çështja ndaj tyre përfaqëson një padrejtësi të rëndë në zemër të Evropës, duke nënvizuar se ajo nuk prek vetëm individë të veçantë, por cenon vetë parimet e drejtësisë, demokracisë dhe shtetit ligjor në kontinent.

“Nuk di, realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt, padrejtësia nuk u bëhet thjeshtë disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë ushtrisë çflirimtare të Kosovës, falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve, çliroi  edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë.  Zoti qoftë me burgosurit pa gjyq të Kosovës, në Hagë, që prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, janë pengje, pengje të një padrejtësie, një padrejtësie në Europën e lirisë demokracisë e shtetit ligjor.”, shtoi Rama.

Kryeministri në fund shprehu shpresën që viti i ri të sjellë një zgjidhje dhe mbylljen e këtij procesi.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular