Sekretariati i Etikës përjashtoi gjashtë deputetë të opozitës pas incidenteve të ndodhura në seancën parlamentare të 18 dhjetorit.
Belind Këlliçi, Klevis Balliu, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Flamur Noka dhe Elda Hoti, u përjashtuan me 30 ditë.
Kujtojmë se Partia Socialiste kërkoi fillimisht përjashtim për 29 deputetë të opozitës. Por mesa duket pjesa më e madhe e tyre i shpëtoi ndëshkimit.
Përjashtim u kërkua edhe për Sali Berishën, me 30 ditë, por në fund “Etika” vendosi vetëm për gjashtë prej tyre, pas akteve në seancën e 18 dhjetorit ku u hodhën edhe flakadanë.
Deputetët e opozitës ishin të pranishëm në seancë me pankarta, duke akuzuar shumicën socialiste.
“Mos kujto se do tërhiqemi derisa të ikë Edi Rama dhe Belinda Balluku”, tha Albana Vokshi pas vendimit
Ndërkohë kreu i Sekretariatit të Etikës, Ulsi Manja, pas përfundimit të mbledhjes, përshëndeti kolegët demokratë me ngritjen e dy gishtave.
“Kanë kryer veprimet të dhunshme duke shkulur mikrofonat e seancës plenare, duke ndezur flakadanë në seancë dhe duke gjuajtur me sende jo të lejueshme në drejtim të kryetarit të Kuvendit, të përjashtohet me 30 ditë punë nga 60 që u kërkuan. Të gjithë deputetët e tjerë që u propozuan të merren masa 30 ditë dhe 10 ditë nga punimet e komisioneve dhe seancës plenare, Sekretariati për Procedurat, Etikën dhe Votimet vendosi të mjaftohet këtë radhë vetëm me tërheqjen e vëmendjes”, tha Manja në një komunikim për mediat pas mbledhjes.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, deklaroi se falë mbështetjes së qytetarëve në protestë, qeverisë i është dhënë mesazhi që do të “çmontohet”.
“Ju siguroj që mbrëmë me vërshimin e qytetarëve në bulevard kundër narkosit këta e kanë marrë një mesazh. Ne nuk ndahemi derisa t’i çmontojmë. Ata që përfaqësojnë në pushtet kartelet ata sot po e nuhasin që po u rrëshqet dheu nën këmbë”, tha Noka.







