Fatbardh Amursi (Rustemi)
Shkrimtari me energji të shtuar
-ese-
Ka disa vite që shkrimtari Bashkim Hoxha shfaqet me një energji të shtuar. Ende pa u shuar jehona e librit të parë ai boton të dytin. Me disa kantiere të hapura. E sheh nëpër promovime duke hedhur autografe, ku dallohet lehtë, që po i shijon kjo stinë, i rrethuar nga lexues brenda dhe jashtë vendit. Në botime shqip dhe në gjuhë të huaja. Ky vitalitet krijues nuk mund të mos ngjalli admirim. Romani i tij i fundit “Balada e piratit dhe e poetit” mbështetet në një histori të largët piratësh, ja që lufta kundër piraterisë vazhdon dhe sot, kështu që legjenda e fshehur në largësinë e viteve, po duket si një histori më e besueshme nga aventurat e Don Kishotit. Duke lexuar romanin m`u kujtua kjo kronikë njohur ato kohë, kur pushoja në Ulqin: “Çardaku i madh, oborri plot lule gjithëfarësh, kopshti plot pemë dhe i rrethuar me avlli, të kënaqej syri ta shikoje. Në këtë shtëpi plot dhoma jetonte vetëm Hanko Xhixhikja, gruaja e kapedan Rexhë Mehmetit me të bijën, Nurijen. Vajza më e bukur e Ulqinit. Kapedani merrte detin me karavele duke bërë tregti gjatë gjithë bregut verior të Afrikës. Shkonte në Egjipt, në Itali, Spanjë e deri në Mauritani, ku kishte mikun e tij, piratin e madh ulqinak, Haxhi Alinë, tmerri i anijeve tregtare venedikase.” Tek personazhi i romanit, Arnaut Mami, janë bashkë si kapedani dhe pirati: “Në fillim zbret nga anija dhe prin kapiteni, që në këtë rast është Arnauti. Kapiteni mban të gjitha shenjat dalluese të një pirati.” Para se të zbresin nga anija ndahet plaçka e grabitur. “Kështu që, në sytë e turmës që ka mbërritur në breg për të pritur të afërmit apo thjesht për të bërë sehir apo ndonjë pazar, parakalojnë vetëm skllevërit.” Midis tyre është dhe shkrimtari Miguel Servantes, të cilin pirati nuk e nxjerr në ankand për ta shitur, por e mban për vete. Robi mbante në gji një letër me një vulë të praruar njerëzish të lartë, e cila tërheq vëmendjen e piratit. Një rast i mirë për të hyrë në pazar me mbretin e Spanjës dhe çmimin do ta vendoste ai. “Babai i Miguelit ka pasur probleme borxhesh dhe taksash dhe i ka ndërruar shpesh vendqendrimet për t’u shpëtuar borxhinjve dhe taksidarëve. Sapo ndjente se dikush prej tyre po i binte në gjurmë, ikte në një vend tjetër. Fëmijët i merrte me vete nga frika se borxhinjtë ia kapnin peng dhe i torturonin. Mamaja e tij nuk i ka shoqëruar në asnjë nga këto endje; ajo ka qëndruar në të njëjtin vend gjithë jetën. Ka qenë ndryshe nga babai. Nëse ai ishte mallkuar me fatin e një ere, ajo ishte bekuar me fatin e një peme. Migueli nuk është si ajo-më shumë beson se e ka ndjekur nga pas fati i ngjashëm me babain.” Dhe erërat e detit e hodhën në Ulqin, ku ai është krejt një i panjohur.
Historia e piratit me poetin kish tërhoqi vëmendjen dhe të Kadaresë, bërë prezent dhe në një ligjirim të tijin në Spanjë, i cili, bashkë me Driteron, sikurse thuhet, donin të shkruanin për pengmarrjen e Servantesit një vepër letrare. Ata u matën, ndërsa Bashkim Hoxha e realizoi. Shkrimtari B. Hoxha, pavarësisht ritmit të shpejtuar, nuk më duket nga ata, që nxiton, por, i tillë që kërkon të shkarkohet. Ai nuk gatuam me vaj të ndenjur. Ajo që i bashkon piratët dhe poetët është aventura. Me sa duket, Servantesi para se të shkonte tek aventurat e personazhit të tij famoz, Don Kishoti i Mançes, i provoi më parë në kurrizin e tij. “Vaj medet, vaj medet, botë e trilluar qënka e vërtetë.” Shkrimtari nuk vuan nga fanitjet, sikurse personazhi i tij. Romani kalon nëpër tri gjendje, atë: të pritjes, pengjeve, pazareve dhe të nderit kalorsiak, ku paralelja me të sotmen mund të hiqet hera-herës.
Pritja
Ne që vijmë nga kohë e kullave të vrojtimit, e fanarit ndiçues, nga rojet që vëzhgonin me dylbi, Xhemal Syçi, që vëzhgon me dylbi detin, na duket si personazh i kohës së “kështjellës në brigjet e Adriatikut”, por dhe tek e sotmja me sytë nga deti dhe qielli për të pritur të ikurit. Në Shqipërinë e sotme të gjithë i mbajnë sytë nga dera. Pirati të gjason me trafikantët e sotëm, që i gjen edhe në Karaibe. “Me një sy? Si mund t’i besojmë lajmin e shumëpritur njeriut me një sy dhe syrin tjetër të taposur? Por ai u mbylli gojët dyshuese me pak fjalë. Një herë foli dhe nuk i përsëriti më: “A nuk e mbyllim të gjithë njërin sy kur syrin e hapur e vendosim në tejqyrëse?” Ne e besojmë, se me një sy merrnin dhe vijën e shenjimit kur bënim qitje, sikurse jemi mësuar ta mbyllim njërin sy kur tjetri plaçkit atdheun. “Dhe kjo ndodh sepse pritja e gjatë dhe shpresa vrasin gjumin.”-shkruan autori, ndaj njerëzit “urrejnë tik takun e sahatit dhe mërmërisin fjalë mallkimi për këmbanat që heshtin.” Ne u mësuam me kohën e alarmeve dhe tani të sirenave të makinave. “Në shumicën e rasteve ato zhgënjehen, por nuk duan t’ia dinë. Nuk e marrin parasysh që askush nga ata që presin nuk vjen.” Një nga ato që pret është dhe Maja, e cila i lëshon këto fjalë të shoqit, i cili s`qëlloi të ishte pirat zemrash: “Më rrëmbeve të më kishe pranë, apo më rrëmbeve për të më lënë kështu të vetmuar?” (Pritjen e kemi të fiksuar nga folklori me Vajzën e Valëve.) “Kur Arnaut Mami shkon drejt Majës, papritur të gjitha mendimet e saj fashiten si të mos kenë qenë kurrë. Humbin fjalët e shumta, mallkimet, sharjet, dhe mbetet vetëm një përqafim dhe një rotullim në ajër, duke u hargalisur.” Maja dhe vajza e bukur e kapedanit të Ulqinit, Nurija, që jetonte vetëm me nënën, i mbajnë sytë nga deti. “Ferrin lë pas dashuria kur ikën”, i thotë Maja dhe pastaj kthehet drejt Arnautit, ballë për ballë vetëm me të. “Pak më parë ti më quajte gruaja ime. Është herë e parë që e dëgjoj. Sepse në të vërtetë unë kam qenë gruaja e vetmisë.”
Pengmarrja
Historia e pengjeve vazhdon në të gjitha shoqëritë. (Gjerasim Qiriazin e morën peng kaçakët e çetës së Shahin Matrakut.) “Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë jemi pengje, Duam apo s’duam. Pengje të fatit jemi.”-shkruan autori. Pirati nuk e dinte se tek robërit një nga njerëzit më të famshëm të botës, shkrimtarin Miguel Servantes. (Thuhet se në Shqipëri është strehuar dhe Bin Ladeni.) Edhe Maja e piratit ishte një robinë. (Trafikantët e sotëm bëjnë të kundërtën “mishin e bardhë”, robinat moderne, i nisin përtej detit.)
Pazaret
Pirati e sheh poetin si një peng të majmë, nisur nga një letër me vulë të artë dhe jo nga ari i artit të tij, që s`ia kishte haberin. “Në pazarin e tij shpresoj shumë. Pazar me mbretin.” Pazari është i pranishëm dhe në kohën e sotme. “Është hera e parë që dëgjoj që njeriu argëtohet me trishtimin.” Por, këtij kurthi interesash nuk do t`i shpëtojë as vetë: “Ka vendosur gjithmonë çmimin e të tjerëve, por është hera e parë që duhet të vendosë një çmim për veten.”
Nderi kalorsiak
“Çfarë dreq kalorësi është ai kur mbetet rob i një kujtimi!”-shkruan autori, duke shtuar: “Mos më thoni që ka vdekur dhembshuria. Mos më thoni që është mbytur në det njerëzillëku. Lirojeni pengun. Ku jeni o kalorës fisnikë. A ka mbetur ndonjë prej jush në këtë kohë budallaqe? Apo jetojmë të tjera gjëra-kush pyet për shpirtin?” Por, ky mesazh shtjellohet dhe më shumë në gojën e Ebu Kerimit i cili thotë “se ato bejte që bën poeti nuk janë thjesht vargëzime dhe rima të përputhura. Ai beson se çdo njeri duhet të rimojë me njerëzit dhe ambientet rreth e qark, në mënyrë që ta shijojë në harmoni jetën. Njeriu që nuk rimon me ambientin është një vuajtje e madhe, një fatkeqësi.” Dhe më tej: “Poeti në shpirt ka harmoninë dhe paqen e munguar. Shkatërrimi dhe urrejtja nuk duhet t’i përkasin. Poetët mund të shkruajnë luftrat e të tjerëve dhe vetëm procesi i shkrimit është beteja e tyre e vërtetë. Shkojnë në disa beteja imagjinare që ata i shpikin. Vrasin kë të duan, kë të duan lënë gjallë.” Edhe romani në fjalë duhet përfytyruar si një betejë e shkrimtarit Bashkim Hoxha, duke i uruar harmoni me paqen e munguar të vendit të tij.







