Qeveria ka sanksionuar rregulla të reja dhe strikte për mënyrën se si trajtohen viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, duke vendosur shtetin përpara përgjegjësisë direkte financiare dhe operacionale, duke mos ia lënë më këtë barrë vetëm donatorëve apo OJF-ve.
Në fletoren zyrtare janë publikuar “Procedurat Standarde të Veprimit”, një dokument që ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj të mbijetuarve të këtij krimi.
Ndryshimi i madh, mbrojtje e pakushtëzuar
Një nga pikat më të rëndësishme të udhëzimit të ri është shkëputja e ndihmës humanitare nga procesi gjyqësor. Sipas parimit nr. 2 të dokumentit, “mbrojtja dhe riintegrimi ofrohen pavarësisht gatishmërisë apo aftësisë së viktimës për të dëshmuar në gjykatë”.
Kjo do të thotë se një vajzë apo grua e trafikuar do të marrë strehim, ushqim dhe rehabilitim nga shteti, edhe nëse ajo ka frikë të denoncojë trafikantët e saj. Shteti e njeh rehabilitimin jo thjesht si detyrim ligjor, por si masë parandaluese që viktima të mos bjerë sërish pre e rrjetit.
Edhe pse OJF-të dhe shoqëria civile mbeten partnerë strategjikë, dokumenti thekson se “përgjegjësia për zbatimin bie mbi institucionet shtetërore”.
Më konkretisht, institucionet urdhërohen të mobilizojnë burimet njerëzore dhe financiare, kryesisht nga buxheti i tyre, duke sinjalizuar fundin e epokës kur qendrat e strehimit vareshin kryesisht nga projektet e huaja.
Zero tolerancë për policët e implikuar
Në parimet e reja, Qeveria pranon rrezikun e përfshirjes së njerëzve të brendshëm në rrjetet kriminale. Dokumenti sanksionon se do të merren masa drastike për identifikimin dhe dënimin e çdo zyrtari publik që rezulton i implikuar në trafikim.
Fëmijët dhe grupet vulnerabël
Procedurat vendosin një regjim të posaçëm mbrojtjeje për fëmijët, bazuar në “interesin më të lartë të fëmijës”. Po ashtu, parashikohet trajtim i specializuar për kategori specifike si gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara apo ata që kanë pësuar trauma të rënda psikologjike.
Për viktimat e huaja në Shqipëri ose shqiptarët jashtë, kthimi në shtëpi do të bëhet vetëm nëse është “vullnetar dhe i asistuar”, dhe pasi të jetë vlerësuar se jeta e tyre nuk është në rrezik në vendin e origjinës. Në rast rreziku, viktimave u ofrohet përfshirja në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.







