Goli i shënuar nga Armando Broja në ndeshjen ndaj Bornmuthit ka qenë i rëndësishëm për ekipin e Bërnlit që të ndalte serinë prej 7 humbjesh, e sidomos për vetë sulmuesin shqiptar. Ai i dha fund një thatësie të gjatë para portës në Premier Ligë dhe tashmë mund të jetë më i qetë në kërkimin e kësaj vazhdimësie.
Ky realizim, përtej të tjerave, ka treguar se Broja njeh portën kundërshtare, ndaj në mediat britanike, parashikohet që ai të ketë në vijim rolin e titullarit në radhët e Bërnlit dhe jo ta nisë nga stoli si në ndeshjen e fundit
Broja projektohet të jetë titullar në duelin kundër Evertonit këtë të shtunë, me Bërnlin që është në kërkim të tre pikëve në shtëpi për të ngjallur edhe një herë shanset e tij për mbijetesën.
Fakti që futbollisti shqiptar ka qenë në edicionin e kaluar pjesë e Evertonit në huazim, favorizon sulmuesin pasi njeh lojën e ekipit të Devid Mojes, teksa pritet që ai të shfrytëzojë më së miri njohuritë për pikat e dobëta që ka kundërshtari.







