Në Pikën Kufitare të Kakavijës, drejtues të Policisë së Shtetit inspektuan masat e marra për përballimin e fluksit të shtuar të lëvizjeve gjatë festave të fundvitit, duke theksuar bashkëpunimin me autoritetet greke për lehtësimin e kalimit kufitar.
“Ky plan masash konsiston në shtimin e sporteleve në pikat e kalimit kufitar dhe në angazhimin e punonjësve të Policisë, konkretisht në ato pika ku pritet ardhja e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë shtetit. Gjithashtu, nga ana e shërbimit të kalimit kufitar dhe emigracionit janë intensifikuar shkëmbimet e informacionit me shtetet fqinje, me partnerët e Policisë Kufitare, sidomos me palën greke, për lehtësimin e kalimit kufitar të shtetasve, si në hyrje ashtu edhe në dalje të vendit tonë”, tha Saimir Muçaj, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
“Policia Rrugore është në masa të plota dhe në masa shtesë në të gjitha akset rrugore urbane dhe interurbane, me shërbime patrullimi rrugor të lëvizshëm dhe me mjete të teknologjisë dhe inteligjencës. Efektivët e shërbimeve ‘Shqiponja’, RENEA-s dhe Forcave të Sigurisë Kombëtare do të jenë të gatshëm për t’u përgjigjur në kohë situatave”, tha Dhimitraq Ziu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 80 mijë persona kanë kaluar në këtë pikë kufitare, ndërsa fluksi i udhëtarëve këtë vit është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.







