Përmes një postimi në “X”, kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën alarmante në Vlorë.
Duke ndarë edhe fotot nga puna që po bëhet në terren, ai thotë se pjesët e reja hidraulike, të nevojshme për riparimin e defektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, janë nisur nga Stambolli dhe pritet të mbërrijnë brenda ditës së sotme.
Sipas Ramës, defekti ka ardhur si pasojë e instalimit të pjesëve hidraulike jashtë standardeve gjatë viteve 2009–2010, të cilat nuk kanë përballuar më presionin e ujit, duke çuar në shpërthimin e tubacionit.
Rama e cilëson defektin si një “plagë të hapur” për qytetin e Vlorës, duke e lidhur atë me problematika të trashëguara nga e kaluara.
Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve vlonjatë për vështirësitë e shkaktuara, duke theksuar se situata po trajtohet me prioritet për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë“, shkruan kreu i qeverisë.







