FLORIAN KALAJA
Pjesa e dytë e shkrimit “Shkatërrimi i lirimit me kusht” i kushtohet masës së periudhës së sigurisë së përcaktuar fillimisht në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 174 të projektit të Kodit të ri Penal, sa i takon dënimeve me burgim nga 5 vjet deri në 45 vjet; më tej në pikën 1 të nenit 181 të këtij projekti, sa i takon dënimit me burgim të përjetshëm; dhe më tej në pikën 2 të nenit 154 të tij, sa i takon detyrimit ligjor të gjykatës që të shtojë periudhën ligjore të sigurisë për të gjitha dënimet me burgim nga 20 vjet deri në 45 vjet dhe për dënimin me burgim të përjetshëm. Duke vlerësuar se kam parashtruar argumente të mjaftueshme në shkrimet paraardhëse për papajtueshmërinë me Kushtetutën dhe me KEDNJ të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal, në këtë shkrim do të merrem më shumë se atë çfarë ka pranuar Dhoma e Madhe e GJEDNJ si standard jurisprudencial mbi nenin 3 të KEDNJ lidhur me sasinë e viteve të izolimit në burgim maksimalisht të pranueshme si periudhë sigurie ligjore në dënimet afatgjata me burgim dhe në dënimin me burgim të përjetshëm.
Fillimisht është e nevojshme pak histori ligjore në këtë drejtim. Për dënimet nga 5 vjet burgim deri në 35 vjet burgim neni 64 i Kodit Penal në fuqi, kur lejon lirimin me kusht, vendos si detyrim ekzekutimi të dënimit me burgim periudhën ¾ e dënimit të caktuar nga gjykata. Nga viti 1995 deri në vitin 2013, neni 32 i Kodit Penal në fuqi, masën maksimale të dënimit me burgim e parashikonte 25 vjet. Në vitin 2013 masa maksimale e dënimit me burgim u rrit me 10 vjet, duke u fiksuar 35 vjet burgim. Ndërkohë periudha ligjore e sigurisë për të dënuarit me burgim të përjetshëm, nga viti 1995 e deri në vitin 2017, ka qenë 25 vjet burgim, që do të thotë se, vetëm pas 25 vitesh ekzekutimi të dënimit me burgim të përjetshëm, të dënuarve u lindte e drejta për të kërkuar në gjykatë lirimin me kusht. Në vitin 2017 periudha ligjore e sigurisë për të dënuarit me burgim të përjetshëm u rrit me 10 vjet, duke u bërë 35 vjet burgim dhe duke u përshtatur katër vjet me vonë me nenin 32 të ndryshuar të Kodit Penal në vitin 2013, ku maksimumi i dënimit me burgim u parashikua 35 vjet. Paradoksi i ligjvënësit shqiptar nga viti 2013 e deri në vitin 2017 ishte se ligji teorikisht lejonte lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm më shpejt në kohë se sa i dënuari me 34 apo 35 vjet burgim. Megjithatë ky paradoks u korrigjua në vitin 2017. Periudha ligjore e sigurisë për këto të dënuar ishte më e madhe se sa periudha ligjore e sigurisë për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Start Trading Forex in Minutes – Open Your AccountIC Markets
Trade Forex with Ultra-Low SpreadsIC Markets
Sikurse është shpjeguar në shkrimet e mëparshme, ligjvënësi në vitin 2012 prezantoi për herë të parë periudhën e sigurisë gjyqësore për dënimin me burgim mbi pesë vjet deri në 35 vjet apo për dënimin me burgim të përjetshëm. Kjo mundësi ligjore jepte diskrecionin gjyqësor për të rritur masën ¾ e dënimit nga 5 vjet deri në 35 vjet burgim apo e masës 35 vjet burgim të dënimit me burgim të përjetshëm deri në fundin e tyre të paracaktuar në vendimin gjyqësor të dënimit. Por, pavarësisht konkluzionit mbi papajtueshmërinë me Kushtetutën, që ndaj prej vitesh lidhur me nenin 65/ a të Kodit Penal, për t’u vlerësuar në këtë amendim ligjor ishte fakti se periudha e sigurisë gjyqësore deri më sot ka qenë dhe është atribut ekskluziv i diskrecionit gjyqësor. Ligji nuk detyron gjykatat për caktimin dhe zbatimin e saj.
Në librin “Lirimi me kusht” kam kontestuar kushtetutshmërinë dhe konvencionalitetin e secilit prej këtyre afateve të periudhës ligjore të sigurisë dhe tërësisht periudhën gjyqësore të sigurisë. Në mënyrë të përmbledhur do të parashtroj konsideratat jurisprudenciale të Dhomës së Madhe të GJEDNJ mbi standardet e nenit 3 të KEDNJ në këto parashikime ligjore, të cilat rezultojnë se janë respektuar nga Shqipëria deri në vitin 2013, para se të ndryshohej neni 32 i Kodit Penal, dhe deri në vitin 2017, para se periudha ligjore e sigurisë për dënimin me burgim të përjetshëm në nenin 65 të Kodit Penal të bëhej nga 25 vjet në 35 vjet burgim.
Kështu Dhoma e Madhe e GJEDNJ në vitin 2012, në çështjen “Vinter dhe të tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar” analizoi me metodën e krahasimit ligjet penale në Europë, mbi madhësinë e periudhës ligjore të sigurisë për të dënuarit me burgim të përjetshëm; solli në vëmendje raportet e Komitetit ndaj Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor mbi standardet e ndërkombëtare të dënimit me burgim të përjetshëm; solli në vëmendje rekomandimet relevante të Komitetit të Ministrave për standardet e pajtueshmërisë me nenin 3 të KEDNJ të dënimeve afatgjata me burgim apo dënimit me burgim të përjetshëm; solli në vëmendje parashikimet respektive të Statutit të Romës (neni 100/3); solli në vëmendje pikën 2 të nenit 5 të Urdhrit të Arrestit të Bashkimit Europian, në të cilin parashikohet se dënimet me burgim të përjetshëm duhet të jenë të rishikueshme nga gjykatat pas kalimit më së shumti të një afati 20 vjeçar të ekzekutimit të tyre, gjithashtu solli në vëmendje edhe standarde të tjera ndërkombëtare në këtë fushë. Pas kësaj analize, ndër të tjera, u konkludua se KEDNJ dhe GJEDNJ njeh diskrecionin e gjërë, që gëzojnë shtetet, në hartimin e politikës penale dhe konturimin e sistemeve të drejtësisë penale dhe njeh diskrecionin e gjërë të shteteve për hartimin e sanksioneve penale në raport me rëndësinë e veprave dhe rrezikshmërisë së tyre. Gjithashtu u vlerësua se nuk i takon GJEDNJ të konkludojë se sa masë dënimi me burgim do të duhet të vuajë një i dënuar rast pas rasti; duke vlerësuar se shtetet kanë liri në parashikimin dhe caktimin e dënimeve me burgim të përjetshëm tek madhorët e sidomos për vrasjet dhe se vuajtja e dënimit me burgim të përjetshëm tërësisht nuk mund të konsiderohet në vetvete si e papajtueshme me nenin 3 të KEDNJ, duke vlerësuar se ndalimi i recidivizmit në krim është një ndër qëllimet kryesore që legjitimon caktimin dhe vuajtjen dënimin penal dhe gjithashtu duke njohur se një ndër qëllimet legjitime të ligjit penal është edhe mbrojtja e shoqërisë nga rrezikshmëria që paraqet autori i krimeve të rënda. Më tej GJEDNJ vlerësoi ndër të tjera se prezumimi apriori me ligj i rrezikshmërisë së përjetshme të të dënuarit është i papajtueshëm me nenin 3 të KEDNJ dhe se e shndërron dënimin me burgim të përjetshëm, që në momentin e caktimit të tij nga gjykata, si dënim çnjerëzor, duke qenë e domosdoshme sakaq të prevalojë mbrojtja e dinjitetit njerëzor nga kufizimet penale të një dënimi që me kalimin e kohës tregohet mizor dhe çnjerëzor. Gjithashtu GJEDNJ vlerësoi se mundësia e rishqyrtimit të dënimit në kohë në raport me sjelljen e të dënuarit gjatë ekzekutimit nuk mund të jetë e paarsyeshme, duke u arsyetuar sakaq për zbatimin e nenit 3 të KEDNJ në çështjen e madhësisë së periudhës ligjore të sigurisë për dënimet afatgjata me burgim apo për dënimet me burgim të përjetshëm. Në këtë pjesë të arsyetimit, pasi risolli në vëmendje standardet ndërkombëtare dhe analizën krahasimore të ligjeve penale në Europë, GJEDNJ pranoi se ka një konsensus europian për të mundësuar rishikimin e dënimit me burgim të përjetshëm pas një periudhe sigurie të vuajtjes së 25 vitesh burgim.
Më tej sjell në vëmendje se pika 3 e nenit 100 të Statutit të Romës, ku rregullohet periudha ligjore e sigurisë për të dënuarit për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, parashikon se të dënuarit me burgim të përjetshëm i lind e drejta për të kërkuar lirimin para kohe me kusht pas kalimit të një periudhe prej 25 vjet burgim. Sjell gjithashtu në vëmendje se në vijimësi ky standard 25 vjeçar është mbajtur parasysh nga Dhoma e Madhe dhe forumet e tjera të gjykimit nga GJEDNJ në çështjet e shteteve të tjera në Europë ku janë kontestuar si të papajtueshme me nenin 3 të KEDNJ periudhat e sigurisë më të mëdha se sa 25 vjet burgim (për shembull shih çështjen “Bodein kundër Francës” viti 2014; çështjen “Murray kundër Holandës” viti 2016; çështjen “T.P. dhe A.T. kundër Hungarisë”; çështjen “Bancsok dhe Laszlo Magyar kundër Hungarisë (2)” viti 2021;
Qartazi rezulton se ndryshimet e matematikës ligjvënëse shqiptare të vitit 2012, 2013 dhe 2017 në madhësinë e periudhës ligjore të sigurisë së dënimit me burgim dhe dënimit me burgim të përjetshëm nuk përputhen me matematikën e standardeve të Këshillit të Europës dhe të BE-së. Në kohën kur Dhoma e Madhe e GJEDNJ krahasonte legjislacionet në Europë, periudha ligjore e sigurisë në Shqipëri ishte brenda standardeve të nenit 3 të KEDNJ, konkretisht 25 vjet, dhe se Shqipëria në këtë vendim precedent gjyqësor europian u rendit ndër shtetet që kishin trendin legjislativ të përputhshëm me këtë frymë të përbashkët europiane. Por, pas vitit 2012, gjithçka në Shqipëri lidhur me këtë çështje pësoi regres. Fatkeqësisht kjo lamtumirë e hidhur premton se do të thellohet.
Në fundkorrikun e vitit 2025, në një mbledhje shkëlqyese me krerë të lartë drejtësie, Ministria e Drejtësisë prezantoi variantin zyrtar të projektit të Kodit të ri Penal. Shkronja «b» e pikës 1 të nenit 174 parashikon se periudha ligjore e sigurisë për dënimin mbi 5 vjet burgim dhe deri në maksimumin e dënimit me burgim që ligji parasjikon do të jetë ¾ e masës së dënimit. Nga ana tjetër pika 1 e nenit 181 të këtij projekti vendos se periudha ligjore e sigurisë për të dënuarit me burgim të përjetshëm do të jetë 35 vjet burgim. Në këto pjesë projekti as e përmirëson dhe as e përkeqëson standardin e Kodit Penal në fuqi. Sërisht grupi i punës pranon dhe propozon që Shqipëria të renditet në shtetet e Këshillit të Europës që nuk zbaton standardet ndërkombëtare, sikurse u mor stafeta nga ligjvënësi shqiptar i vitit 2013 dhe 2017. Megjithë zotimin-slogan «Shqipëria në BE në vitin 2030», grupi i punës vendos që mos përvetësohen standardet e detyrueshme të së drejtës së Bashkimit Europian në këtë drejtim. Në këtë pjesë të rregullimeve normative rezulton se ka stanjacion penal.
Regresi penal vjen tek parashikimi i pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal. Ky rregull urdhëron gjykatën që, sa herë cakton dënime nga 20 vjet dhe deri në 45 vjet burgim apo dënime me burgim të përjetshëm, do të duhet të vendosë detyrimisht rritjen e periudhës ligjore të sigurisë. Nga ana tjetër, megjithëse pika 1 e nenit 72 të këtij projekti e parashikon masën maksimale të dënimit me burgim 30 vjet, pika 2e nenit 150 (caktimi i dënimeve për disa vepra penale të kryera me një veprim) parashikon se maksimumi i bashkimit të dënimeve për disa vepra penale shkon në 40 vjet burgim. Më tej pika 2 e nenit 151 të këtij projekti (caktimi i dënimeve për disa vepra penale me disa veprime) parashikon se maksimumi i bashkimit të dënimeve për disa vepra penale shkon në 45 vjet burgim apo në paragrafin e tretë të kësaj dispozite rezulton se maksimumi i dënimeve me burgim të bashkuara shkon në 40 vjet burgim. Më tej neni 152 parashikon se dënimi për krimet vazhduese mund të shkojë deri në maksimumin 40 vjet burgim. Dhe nga ana tjetër edhe bashkimet e një dënimi që po ekzekutohet me dënime të tjera që merren gjatë ekzekutimit shkojnë, sipas nenit 153 të projektit, deri në 40 apo 45 vjet burgim.
Matematika e grupit të punës, konkretisht ¾ e dënimit mbi 35 vjet burgim e deri në 45 vjet burgim, ka siguruar që të mos ketë përsëritje të paradoksit legjislativ të vitit 2013 – 2017, ku lirimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm teorikisht parashikohej se ndodhte më parë se sa i dënuari me 34 apo 35 vjet burgim. Këtë grupi i punës nuk e lejon, pasi periudha ligjore e sigurisë prej ¾ e dënimit me burgim deri në 45 vjet gjithmonë është më pak se sa periudha ligjore e sigurisë 35 vjeçare, që ligji ka caktuar për dënimin me burgim të përjetshëm.
Por grupi i punës, përmes pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal, ka bërë që periudha ligjore e sigurisë për dënimin me burgim nga 20 vjet deri në 45 vjet, e parashikuar nga shkronja «b» e pikës 1 të nenit 174 të këtij projekti, të jetë një gënjeshtër ligjore, pasi gjithmonë ajo do të jetë më e madhe se sa periudha ¾ e dënimit me burgim. Më tej grupi i punës, përmes pikës 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal, ka bërë që periudha ligjore e sigurisë prej 35 vjet për dënimin me burgim të përjetshëm, sipas pikës 1 të nenit 181 të këtij projekti, të jetë një gënjeshtër e përsëritur ligjore, pasi gjithmonë ajo do të jetë më e madhe se sa 35 vjet burgim. Kjo do të thotë se për dënimet me burgim nga 20 vjet deri në 45 vjet dhe për dënimin me burgim të përjetshëm dihet, jo ajo që thuhet shprehimisht në shkronjën «b» të pikës 1 të nenit 174 dhe në pikën 1 të nenit 181 të projektit, por ajo që nuk dihet, konkretisht ajo periudhë shtesë sigurie gjyqësore që do t’i shtohet metematikisht periudhës ligjore të sigurisë, që do të individualizojë gjykata sipas pikës 2 të nenit 154 të këtij projekti. Sikurse konstatohet, ndërkohë që kufizimet penale të këtij projekti të Kodit të ri Penal shtohen dhe vetëm shtohen nga dispozita të palidhura dhe që mezi e gjejnë njëra-tjetrën pas studimit të imtësishtëm, liria dhe dinjiteti i individit të dënuar vetëm pakësohet e pakësohet deri në nihilizim. Në këtë mënyrë grupi i punës, përmes shkronjës «b» të pikës 1 të nenit 174, pikës 1 të nenit 181 dhe përmes shtesës së detyrueshme ligjore e gjyqësore të periudhës së sigurisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 154 të projektit të Kodit të ri Penal, vendos të thellojë ndarjen e e hidhur të lamtumirës, së nisur që në vitin 2012, me standardet e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian. Në fundkorrikun e vitit 2025, Ministria e Drejtësisë, në një mbledhje shkëlqyese me krerë institucionesh të lartë drejtësie, e dha këtë kumt botërisht dhe me sqimë.
* Autori, gjyqtarë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për korrupsionin dhe krimin e organizuar







