Edhe pse është prezantuar publikisht si një ndryshim i rëndësishëm në politikat e mbështetjes së familjes dhe lindshmërisë, skema e re e bonusit të bebes nuk është miratuar ende dhe nuk ka nisur të zbatohet. Nisma është bërë e njohur gjatë fushatës elektorale të vitit 2025, kur Kryeministri Edi Rama deklaroi më 7 maj se, duke nisur nga viti i ardhshëm, mbështetja financiare për nënat dhe familjet nuk do të ishte më një pagesë e vetme në maternitet, por një ndihmë mujore e shpërndarë në vite, në varësi të numrit të fëmijëve.
Pas gjashtë vitesh zbatimi të skemës aktuale të bonusit të bebes, e cila parashikon dhënien e një çeku të menjëhershëm pas lindjes, qeveria ka prezantuar konceptin e një skeme të re, që synon të shtrijë mbështetjen financiare nga momenti i lindjes deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës. Megjithatë, deri në këtë fazë, ndryshimi mbetet vetëm në nivel deklarativ dhe nuk është shoqëruar me një vendim të miratuar.
Mbështetja e re financiare, e parashikuar të niste nga 1 janari 2026, do të ofrohej në formën e pagesave mujore, të diferencuara sipas numrit të fëmijëve në familje. Për fëmijën e parë, pagesa mujore do të ishte 5 mijë lekë, për të dytin 7 mijë lekë dhe për të tretin e në vijim 10 mijë lekë, deri në moshën 5 vjeçare. Në total, kjo do të përkthehej në një mbështetje shumë më të lartë krahasuar me skemën aktuale, e cila ofron një pagesë të vetme në momentin e lindjes.
Nëse do të zbatohej, skema e re do të sillte një ndryshim të ndjeshëm në shpërndarjen e fondeve publike për bonusin e bebes, duke e kthyer mbështetjen nga një stimul i menjëhershëm në një instrument afatmesëm të politikave sociale. Për shembull, për fëmijën e parë, mbështetja totale do të arrinte në 300 mijë lekë për pesë vite, krahasuar me 40 mijë lekë që jepen aktualisht në një pagesë të vetme.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka një vendim zyrtar të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, nuk ka një dokument publik që të sqarojë kriteret e përfitimit, mënyrën e aplikimit, burimin e financimit apo ndikimin e saj në buxhetin e shtetit.
Ndryshimi i prezantuar lidhet drejtpërdrejt me përkeqësimin e treguesve demografikë në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë një rënie të vazhdueshme të lindjeve, e shoqëruar me emigrimin, që po reflektohet edhe në strukturën e tregut të punës dhe në rritjen e moshës mesatare të popullsisë.







