Partia Demokratike nuk ka humbur kohë për t’u rikthyer te protestat. Në deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të selisë blu bëhet e ditur se foltorja do të rikthehet ditën e hënë, pas disa ditësh pushim për shkak të ndërrimit të viteve.
Mësohet se skenari do të jetë i njëjtë, pa organizim nga rrethet, ndërsa në deklaratë ftohen të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë.
Po ashtu, edhe folësit do të jenë sipas të njëjtës formulë si në foltoret e mëparshme.
Megjithatë, një vëmendje e shtuar në fjalime pritet t’i kushtohet edhe arrestimit nga SHBA i presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Të hënën më 5 janar njoftohet se do të mbahet tubimi i radhës në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Gjithashtu në mesazhin e PD drejtuar strukturave njoftohet se të hënë kreu i PD Sali Berisha do të jetë në SPAK. Ajo çfarë bie në sy është fakti se për herë të parë Partia Demokratike nuk e quan më “SKAP”, Prokurorinë e Posaçme siç edhe jemi mësuar ta dëgjojmë edhe nga vetë kreu i PD.
Mesazhi i plotë:
Mirëdita dhe Vit te mbare, uroj ti keni kaluar bukur festat.
Ju kujtoj të hënën date 05 janar për tubimin në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Po ashtu të hënën në orën 09:30 Doktori do të jetë te SPAK.
Ju lutem merrni masa për të siguruar pjesëmarrjen







