Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe 6 persona të tjerë.
Ndaj tyre rëndon akuza e shkeljes së barazisë në tendera.
Sipas njoftimit të bërë publik nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mwsohet se ka përfunduar hetimet dhe më datë 8 janar 2026 ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.196 të vitit 2024, në ngarkim të disa zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të strukturave të prokurimit publik.
Në listën e të pandehurve janë përfshirë Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
Objekt i hetimit ka qenë një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit prej 69.5 milionë lekësh.
Hetimi është nisur mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Sipas SPAK, nga aktet e administruara ka rezultuar se gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi janë evidentuar veprime të kundërligjshme nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.
Hetimi ka zbuluar se i pandehuri Benet Beci, në cilësinë e Administratorit të KESH sh.a., në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese të tenderit, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
SPAK thekson se këto veprime janë kryer në kundërshtim me nenet e ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, si dhe me nenet e VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
Hetimet ndaj kryebashkiakut Beci nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberit ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.
Beci, i cili prej majit 2023 mban postin e kryebashkiakut të Shkodrës, ka një karrierë të gjatë në administratën publike.
SPAK dërgon për gjykim disa zyrtarë për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 08.01.2026, ka paraqitur kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
Objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë.
Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.
Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:
I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.
Në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 24 dhe 46 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe me nenet 28 dhe 61 të VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.







