Një javë pas sulmit amerikan në Karakas që çoi në arrestimin e presidentit Nikolas Maduro, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të premten në Shtëpinë e Bardhë drejtues të lartë të industrisë globale të naftës, duke i ftuar të shfrytëzojnë zhvillimet e reja dhe të investojnë në rezervat gjigante energjetike të Venezuelës, me garancinë se investimet e tyre do të jenë “plotësisht të sigurta”.
Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha të naftës dhe gazit, përfshirë grupe energjetike amerikane, si edhe kompanitë evropiane Eni nga Italia dhe Repsol nga Spanja.
Sipas Donald Trump, gjigantët e industrisë së naftës shfaqen të gatshëm të investojnë “të paktën 100 miliardë dollarë” në Venezuelë.
Gjatë takimit, presidenti amerikan premtoi se kompanitë do të mund të operojnë pa rrezik. “Do të keni siguri absolute”, deklaroi ai, pa dhënë megjithatë garanci konkrete, në një kohë kur ka përjashtuar mundësinë e dislokimit të trupave amerikane për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike.
Trump theksoi se shfrytëzimi i vendburimeve do të jetë nën kontrollin e plotë të Uashingtonit.
“Do të komunikoni drejtpërdrejt me ne. Nuk do të komunikoni me Venezuelën”, u shpreh ai, duke nënvizuar se SHBA-të do të vendosin se cilat kompani do të kenë akses në rezervat energjetike të vendit.
Pavarësisht garancive të Shtëpisë së Bardhë, nuk munguan rezervat. Drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, Darren Woods, kujtoi se asetet e kompanisë janë konfiskuar dy herë më parë në Venezuelë.
“Mund ta imagjinoni se për t’u kthyer për herë të tretë do të kërkoheshin ndryshime mjaft të rëndësishme”, deklaroi ai, duke shtuar se në kushtet aktuale do të ishte “e pamundur të investohej” në vend.
Në të kundërt, Chevron, e cila ka ruajtur licencën e saj në Venezuelë, u shfaq dukshëm më pozitive. Nënkryetari i kompanisë, Mark Nelson, deklaroi se Chevron është “e gatshme të ndihmojë Venezuelën të ndërtojë një të ardhme më të mirë”.
Kujtojmë se si ExxonMobil ashtu edhe ConocoPhillips u tërhoqën nga Venezuela në vitin 2007, në reagim ndaj planeve të nacionalizimit të ish-presidentit Hugo Chavez. Në një deklaratë për Agjencinë Franceze të Lajmeve, ConocoPhillips bëri të ditur se e vlerësoi diskutimin mbi “gatishmërinë e Venezuelës për të pranuar investime”.
Pas takimit, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, pranoi se “do të nevojitet kohë” për rifillimin e prodhimit të naftës në Venezuelë.
Sipas OPEC-ut, Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës bruto në botë, mbi 300 miliardë fuçi, më shumë se Arabia Saudite dhe Irani. Megjithatë, prodhimi mbetet i kufizuar, rreth 1 milion fuçi në ditë, për shkak të mungesës kronike të investimeve dhe sanksioneve amerikane.
Modernizimi i infrastrukturës vlerësohet se do të kërkojë investime prej dhjetëra miliardë dollarësh, ndërsa shqetësimet për paqëndrueshmërinë politike mbeten të forta.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Venezuelë dhe zgjedh të dialogojë me presidenten e përkohshme Delsi Rodriguez, së cilës, sipas Shtëpisë së Bardhë, SHBA-të synojnë t’i “diktatojnë” vendimet kryesore politike.
Këto zhvillime përshkruajnë një kuadër të ri, tepër të diskutueshëm për të ardhmen e Venezuelës, me pasurinë e saj energjetike tashmë në qendër të strategjisë gjeopolitike të Uashingtonit.







