Nga Adi Darsi
Qemal Disha, themeluesi dhe drejtuesi i të parës kompani publike të sigurimeve në Shqipëri, INSIG, e ripërsëriti veten edhe një herë më 1999, me krijimin e të parës kompani private të sigurimeve SIGMA. Në vitet në vijim, zoti Disha parapriu hapjen e tregut shqiptar të sigurimeve në rajon dhe pak vite më vonë edhe futjen ego investimeve të huaja në këtë treg.
CV – Kush ishte Qemal Disha
Lindi në Dibër më 25.02.1952.
Në vitin 1968 mbaroi Teknikumin Ekonomik në Tiranë.
Në vitin 1974 përfundoi studimet në Fakultetin e Ekonomisë në UT, dega financë.
Në vitet 1970-1979 shërbeu si specialist kontabiliteti në Bulqizë e Burrel.
Në vitet 1979-1990 specialist dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave.
Gjatë këtyre viteve shërben edhe si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Ekonomisë.
Në vitet 1990-1991 shërben si zëvendës ministër i financave
Në shkurt 1991 deri në prill 1991 shërben si Ministër i Financave.
Në vitet 1991-1992 zgjidhet deputet i Matit në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga viti 1992 deri më 1997 drejtor i kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG
Nga viti 1999 deri në 2016 drejtor i përgjithshëm i kompanisë së Sigurimeve SIGMA.
Pioneri i transformimit të tregut të sigurimeve
Karriera e gjatë e Qemal Dishës, si zyrar i lartë publik para viteve 90, u pasurua më tej me themelimin dhe drejtimit për disa vite me radhë të kompanisë publike të sigurimeve “INSIG”. Ishin vitet e transformimeve të mëdha ekonomike. Kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregutr të lirë, u shoqërua me lindjen e tregje të reja, që deri ë atëherë kishin qenë embrionikë. Kështu lindi edhe tregu i sigurimeve, ku Disha do të mbahet mend si njeriu që parapriu këtë transformim.
Më 1997 me ndërrimin e pushteteve, ai u largua nga drejtimi i INSIG. Por me vete mori një armë shumë të çmuar: njohjen e tregut vendas të sigurimeve dhe lidhjet e shumta me kompani të mirënjohura ndërkombëtare të këtij tregu. Me këtë arsenal shumë të vlefshëm në zotërim në shtator 1999, Disha hyn i pari në tregun privat të sigurimeve. Me një kapital themelues 300 mijë dollarë, e siguruar në bashkepunim me 13 aksionerë, ai krijoi kompanine “Siguria e madhe”. Erdhi kështu në jetë sipërmarrja e parë private shqiptare e sigurimeve, SIGMA. Vetë krijuesi i saj, Qemal Disha, në vitet e para të aktivitetit privat, shquhet si menaxher i zoti dhe që pas vitit 2003, për shumë vite me radhë ai është në krye të listës së sipërmarrësve më të mirë të vendit.
Shpejt SIGMA, kompania e krijuar prej tij, pati rezultate befasuese në treg. Në një periudhë të shkurtër ajo e tejkalon biznesin e simotrës publike, të cilën vetë e kishte krijuar e drejtuar INSIG. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2002, SIGMA pati një total primesh në vlerën 1.064 miliardë lekë, kishte derdhur 177 milionë lekë TVSH dhe 52 milionë lekë tatim fitimi, dhe kishte kapur një fitim neto vjetor 200 milionë lekë. Atë vit kompania pagoi 235 milionë lekë dëme. Në vitet në vijim rezultatet e kompanisë së drejtuar prej tij, në të gjithë treguesit njohën vetëm rritje.
Shtrirja në tregun rajonal
Vetëm tre vite pas krijimit të saj në Shqipëri, SIGMA bëhet ndër të parat kompani shqiptare që e shtrin aktivitetin jashtë kufijve të vendit. Në tetor 2002, Disha e shtrin aktivitetin e kompanisë së tij edhe në tregun e Maqedonisë, duke zgjeruar mundësitë për klientët në rajon. Gati dy vite më pas në shtator 2004, SIGMA fitoi licencën për të operuar në Kosovë, duke hapur degën e saj për të ofruar shërbime të sigurimeve ndërkombëtare dhe lokale. Nga ajo kohë e në vazhdim SIGMA u shërbeu konsumatorëve bashkë me simotrat e saj në Kosovë ku buiznesi u rrit më shpejt dhe në Maqedoni. Në fund të vitit 2004 kompania kishte 2.6 milione euro prime te mbledhura në Maqedoni, 4.7 milionë euro në Kosovë dhe rreth 8.5 milionë euro të mbledhura në Shqipëri. Rezultati i biznesit atë vit u vlerësua me një rritje 23 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndaj slogani i saj në spotet publicitare të kohës u përzgjodh të ishte: ” SIGMA, kompania më e madhe e sigurimeve në trojet shqiptare”. Në fund të 2005 kompania arkëtoi 5.8 milione euro prime në Maqedoni, 3.6 milione euro në Kosovë dhe 9.5 milionë euro në Shqipëri.
Nëse kishte një person, që me cilësinë e profesionistit dhe me garancinë e kompetentit, kishte paraprirë këtë zgjerim dhe ecuri në tregun e sigurimeve, padyshim ai ishte Qemal Disha.
Por jo vetëm zgjerimi, të ardhurat e kompanisë u rritën edhe për shkak të ndjekjes së zhvillimeve teknologjike në treg. Në një intervistë të vitit 2006 zoti Disha thoshte se ishte relativisht i kënaqur me ecurinë e kompanisë së tij edhe për faktin se me ndërtimin e sistemit të shitjeve on-line, treguesi i primeve të atij viti ishte në rritje. Atë vit SIGMA rezultoi të kishte paguar 5.2 milionë euro dëme në favor të klientëve të vet.
Kapitali i huaj në tregun shqiptar të sigurimeve
Në shtator 2007, Qemal Disha, si gjithmonë pioner në zhvillimet e tregut, kishte vendosur të ecte edhe më përpara. SIGMA bëhet pjesë e Vienna Insurance Group (VIG). Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, e kishte vënë veten mes atij grupi sipërmarrësisht, që vijonte të kërkonte zgjerimin e kufinjve të biznesit. Ky ishte një zgjerim edhe për tregun në përgjithësi. Kompania e parë privare e sigurimeve, të cilën nga një ide, në bashkepunim me 14 aksionere, në 1999 ai e ktheu në biznes, atë vit që vlerësuar me vlerë tregu 23 milionë euro. Këtë çmim për SIGMA e kishte vendosur një nga kompanite e mirënjohura ndërkombëtare të sigurimeve: Vienna Insurance Group. Pas këtij vlerësimi, drejtuesit e panë të arsyeshme të shesin 75%+ 1 të aksioneve të kompanisë, 7 aksionerët e mbetur shqiptarë mbajtën rreth 25 për qind të aksioneve. “Martesa” me kapitalin e huaj, jo vetëm që e konsolidoi kompaninë, por ajo solli ndryshime rrënjësore në tregun financiar shqiptar. Vienna Insurance Group, ishte një kompani e mirënjohur në tregun europian të sigurimeve dhe përvoja e saj sillte kalimin një fazë dhe standart shumë më të lartë për tregun shqiptar. Zgjerimi i kufinjve të biznesit vijoi edhe vitet më pas. Në tetor 2014 SIGMA bashkohet me Interalbanian duke formuar Sigma Interalbanian VIG dhe duke zgjeruar gamën e shërbimeve dhe produkteve të sigurimit.
Në maj 2016, Qemal Disha e kuptoi se ishte koha për ta lënë biznesin në duart e më të rinjve. Ai ia kaloi drejtimin e kompanisë Klaidi Çitozit, duke përmbyllur një karrierë që la gjurmë të thella në tregun shqiptar të sigurimeve. Sigma VIG, bërthamën e të cilës ai e krijoi 26 vite më parë, në vitin 2024 rezultoi të ishte një ndër tre kompanitë kryesore të tregut shqiptar të sigurimeve.







