Në sallën e tejmbushur në qytetin e Korçës, ish-deputeti Ervin Salianji bëri kritika të forta dhe të drejpërdrejta ndaj lidershipit të Partisë Demokratike në strategjinë e përballjes me qeverinë e Edi Ramës dhe veçanërisht ndaj kryetarit Sali Berisha.
Teksa u fokusua në dy pika kryesore, drejtësia dhe ndërkombëtarët, ai theksoi se ditën selia blu dhe opozita sulmojnë drejtësinë dhe SPAK-un, kurse në mbrëmje e shajnë me libër shtëpie.
Një herë thonë se SHBA-të do rrëzojnë Ramën, dhe më pas ndryshojnë mendim duke u dorëzuar.
Salianji deklaroi se Rama rrëzohet me SHBA-të, Drejtësinë dhe qytetarët së bashku. Ai tha se opozita dhe PD duhet të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-të për të marrë fatet e saj në dorë.
“Një herë na thonë se SHBA-të do rrëzojnë qeverinë e Ramës dhe pastaj deklarojnë se nuk e mundin dot Ramën, se as SHBA-të nuk e rrëzojnë dot. Pastaj ditën mbështesin drejtësinë dhe në mbrëmje e sulmojnë me libër shtëpie SPAK-un. Nuk kanë strategji të qartë. Po, mo po! Rama mundet, Rama rrëzohet nga SHBA-të, Drejtësia dhe me ne së bashku, të gjithë qytetarët”, u shpreh ai mes të tjerash në kritikat e tij ndaj lidershipit të paqartë politikisht të selisë blu.
Ish-deputeti u shpreh i bindur se ndryshimi do vijë, por që ai të mbërrijë, duhet ripërtëritja e PD, hapja e saj, riorganizimi, bashkëpunimi me drejtësinë dhe faktorin ndërkombëtar, deri në “dhënien e dërmës” kësaj qeverie të korruptuar.
“Qeveria e ka kapur për fyti Shqipërinë dhe politikën. Rrinë sot të strukur nga drejtësia, një sistem që e ka humbur lidhjen me realitetin, që e ka degraduar politikën dhe shtetin. Falë punës së SPAK, qeveria po i humb pjesët e saj një dhe nga një. Por drejtësia ngre vetëm akuza, politika i propozon dhe jep zgjidhjet dhe ne do t’i japim zgjidhje. Zgjidhjet kalojnë ose në sheshe dhe në fund në çdo rast në kutitë e votimit dhe aty duhet të frymëzojmë njerëzit. Prandaj e sotmja është një mesazh për ne se njerëzit presin më shumë, të flasin më qartë, të përfshijnë më shumë njerëz”, tha mes të tjerash Salianji para mbështetësve të tij.







