Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë bëri të ditur se është e gatshme të forcojë partneritetin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe të rifillojë Dialogun Strategjik mes dy vendeve.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo përfaqësi diplomatike theksoi se realizimi i këtij synimi do të kërkojë veprime nga ana e Qeverisë së Kosovës, që sipas saj nxisin agjendën e përbashkët për paqe dhe stabilitet rajonal si dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik.
Qëndrimi i ambasadës amerikane në Prishtinë erdhi në përgjigje të pyetjes se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, që pritet të formohet pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gjatë mandatit të kaluar, Qeveria e Albin Kurtit është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një nga masat më të ashpra ndaj Kosovës, duke pezulluar Dialogun Strategjik mes dy vendeve, një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.







