Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e re të Maturës Shtetërore, e cila parashikon disa ndryshime nga ajo e një viti më parë.
Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami, sqaron se të gjithë nxënësit që nuk e kanë kaluar vitin shkollor nuk do të mund t’i nënshtrohen provimeve të maturës, edhe nëse do të kërkojnë ta bëjnë këtë, pasi drejtoritë rajonale, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të gjitha institucionet edukative do të njoftohen në mbyllje të vitit shkollor për listën emërore të këtyre nxënësve.
Në rregulloren e këtij viti, administratorët nuk do të kenë vetëm detyra, por edhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.
“Janë përcaktuar më qartë përgjegjësitë e administratorëve të testimit, me qëllim që të garantojmë që ky proces të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të garantojë integritetin”, tha Cami.
Masa të ashpra parashikohen për të gjithë maturantët që do të konstatohet se kanë celularë gjatë provimit.
“Në rastet kur maturanti do të kapet me celular apo duke komunikuar me maturantë të tjerë lidhur me tezën, ai do të përjashtohet nga provimi”, tha ajo.
Provimet e maturës do të përmbajnë 30–35 pyetje, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe shtjellim.
Për të marrë notën 10 absolute, maturanti duhet të grumbullojë 60 pikë të mundshme.







