Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) njofton se ka nisur faza e afishimit publik për regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të vendit, në kuadër të procesit të formalizimit dhe regjistrimit të pronësisë.
Sipas njoftimit, procesi po zhvillohet në këto zona kadastrale: ZK 2707, fshati Mlizë (bashkia Elbasan); ZK 3622, fshati Tranoshisht (bashkia Gjirokastër) dhe ZK 3007, fshati Podgoran Mal (bashkia Këlcyrë).
Gjatë kësaj faze, e cila do të zgjasë 45 ditë, janë të afishuara për qytetarët listat e pronave, me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale përkatëse.
Sipas njoftimit të AShK-së, banorët e këtyre zonave njoftohen se mund të konsultojnë në çdo kohë materialet e afishuara dhe, për çdo pretendim apo nevojë për saktësim, mund të paraqesin kërkesa me shkrim pranë drejtorive vendore përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës .
Vendndodhjet ku janë afishuar materialet janë: Njësia administrative Shushicë (bashkia Elbasan); njësia administrative Antigone (bashkia Gjirokastër) dhe njësia administrative Sukë (bashkia Këlcyrë).
Pas përfundimit të fazës së afishimit publik, banorët do të kenë mundësinë të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit “e-Albania”, sipas procedurave në fuqi.







