Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një vizitë në Librazhd, ku inspektoi argjinaturën përgjatë lumit Shkumbin, një vepër infrastrukturore parandaluese e realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë Librazhd dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ministri Vengu theksoi rëndësinë e këtij investimi si një shembull konkret të infrastrukturës parandaluese kundër përmbytjeve, e financuar përmes Programit Kombëtar të Mbrojtjes Civile.
“Praktikisht këtu është ndërtuar një shëtitore mbi një pritë lumore, e cila ka dhënë zgjidhje një problemi të hershëm të përmbytjeve nga dalja e Shkumbinit nga shtrati, ndërkohë që i ka shtuar qytetit një hapësirë të re rekreative”, u shpreh Vengu.
Sipas tij, projekti ka nisur si iniciativë e bashkisë dhe është gërshetuar me funksione sociale, duke u shndërruar në një hapësirë publike për qytetarët.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Mariglen Disha vuri në dukje se zona ishte historikisht e rrezikuar nga përmbytjet.
“Me mbështetjen e qeverisë, këtë zonë e kemi kthyer në park, të cilin e kemi emërtuar ‘Parku i Qershive’. Shpresojmë që faza e dytë e projektit të shtrihet deri në bashkimin e lumit Shkumbin me lumin që vjen nga zona e Çermenikës, duke zgjeruar parkun dhe duke eliminuar përfundimisht rrezikun e përmbytjeve për këtë segment të qytetit”, tha Disha.
Ministri Vengu nënvizoi se në vitin 2026 do të vijojë për të tretin vit radhazi Programi i Infrastrukturave Parandaluese, me një fond të konsiderueshëm në dispozicion të bashkive.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile financon projekte për diga, prita lumore dhe ura, të cilat shërbejnë edhe për rimëkëmbje në zona me nevoja civile. Në vitin 2026 parashikohet të financohen rreth 23 milionë euro projekte të tilla”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, një pjesë e projekteve janë tashmë të realizuara dhe presin fazat e dyta, ndërsa të tjera do të nisin për herë të parë. Ai theksoi se këto investime kanë rezultuar të suksesshme në parandalimin e emergjencave civile, si në Librazhd, Shkodër dhe Vlorë, me synimin që programi të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.







