Gjykata Kushtetuese ka dalë në një vendim sa i përket kërkesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ankimoi tre vendimet e gjykatave më të ulëta për masën e arrestit shtëpiak.
Trupa e gjyqtarëve kushtetues ka konkluduar se kohëzgjatja e kësaj mase ka qenë e tejzgjatur, raporton Klan News.
Çështja e shqyrtuar lidhet me seancat e informacionit dymujor. Avokatët e Berishës kanë kundërshtuar vazhdimisht në to kërkesën e SPAK për të vijuar me masën e sigurisë.
Më konkretisht, më 19 korrik 2024, GJKKO vendosi shtyrjen e mbajtjes së seancës, për në datën 30 të atij muaji. Po ashtu, Gjykata nuk u shpreh për revokimin e masës së sigurimit. Avokatët e Berishës asokohe kërkuan papërdorshmëri dhe pavlefshmëri të provave dhe përsëritën kërkesën për shfuqizim të masës “arrest në shtëpi” me arsyetimin se nuk ekzistonin kushtet dhe kriteret.
Kështu, mbrojtja e ish-kryeministrit pretendon shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e GJKKO-së.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim nga SPAK, ndërsa ish-dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kujtojmë se Berisha u lirua në nëntor të 2024-ës, pas afro 11 muajsh, i izoluar në banesën e tij.
Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, të cilën e zbaton ende sot, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, vendim që mund të vihet në pikëpyetje me vendimin e ri të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë thuhet në vendimin e GJK
“Në vendimet e gjykatave të zakonshme objekt kontrolli, ndonëse kishin kaluar 7 muaj nga caktimi i masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, në lidhje me rrezikun e ikjes, nuk ka ndonjë arsyetim, ndërsa për rrezikun e marrjes dhe të vërtetësisë së provave organi i prokurorisë, në vijim, por edhe gjykatat e zakonshme, në momentin fillestar të caktimit të masave të sigurimit, kanë vlerësuar se ajo përmbushej nga masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”“, sqaron gjykata.
Më tej ajo thotë se, për të njëjtën nevojë sigurimi dhe pa evidentuar ndonjë rrethanë të re për ndonjë sjellje konkrete të kërkuesit në aspekt të kësaj nevoje sigurimi, në rastin në shqyrtim gjykatat e zakonshme kanë konsideruar se ajo përmbushej nga një masë sigurimi më e rëndë, ajo e “Arrestit në shtëpi”.
Nisur nga kjo, Gjykata konstatoi se arsyetimi i vendimeve gjyqësore nuk është i mjaftueshëm në aspektin kushtetues në vlerësimin e kësaj nevoje sigurimi, duke mbajtur parasysh edhe faktin se justifikimi për caktimin fillimisht të masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” konsistonte në mosrespektimin, moszbatimin nga kërkuesi të masës “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
“Në vlerësimin e Gjykatës, vetëm një rrethanë e tillë nuk mund të justifikojë vijimin e zbatimit ndaj kërkuesit të masës “Arresti në shtëpi”, pra nuk mund të përbëjë arsye të mjaftueshme për zgjatjen në kohë të gjatë të kufizimit të lirisë, pa arsyetuar për ndonjë arsye të re që justifikon vijimin e masës konkrete (“Arresti në shtëpi”). Për këtë arsye, Gjykata vlerësoi se vendimet objekt i këtij gjykimi kushtetues, që kanë disponuar për vijimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën”, tha gjykata.
Për shkak se masa e sigurimit “Arresti në shtëpi” nuk është më në fuqi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 03.01.2025 ka vendosur zëvendësimin e saj me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, Gjykata vendosi të mos i shfuqizojë vendimet objekt të këtij shqyrtimi kushtetues.
Në përfundim të këtij gjykimi, Gjykata vendosi: “Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Deklarimin si antikushtetuese të vendimeve nr. 400, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, sipas arsyetimit të mësipërm të këtij vendimi, vetëm për pjesën që disponon për kërkuesin Sali Berisha. Shpenzimet e përfaqësimit të kërkuesit në vlerën 75.000 lekë i ngarkohen Ministrisë së Financave.”.
Kushtetuesja zbardh vendimin për sekuestrimin e telefonave
Prokuroria e Posaçme duhet të shmangë dhe nuk mund të përdorë të dhënat personale të qytetarëve të marra nga aparatet celularë që i sekuestron. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë në korrik të vitit të shkuar, por vetëm tani është zbardhur i plotë. Kushtetuesja detyron SPAK që, në rastet e sekuestrimit të celularëve dhe pajisjeve të tjera teknologjike, të marrë vetëm të dhënat apo komunikimet që lidhen me objektin e hetimit, duke shmangur të dhënat personale.
“Gjykata vlerëson se, nga faktet e çështjes, rezulton se interesi real i hetimit lidhet, në thelb, me komunikimet e kërkueses me persona të lidhur me hetimin, ndaj është e justifikueshme që ndërhyrja të mund të shtrihet vetëm në atë pjesë të korrespondencës dhe të dhënave personale që lidhen me objektin konkret të hetimit penal”.
Për rastin konkret, gjykata ka vendosur që të dhënat personale duhet të asgjësohen dhe të ruhen vetëm ato të dhëna që i shërbejnë hetimit. Ky vendim nuk ka fuqi ndikuese tek rastet e tjera.
“Gjykata thekson se ky vendim nuk ka efekte prapavepruese në çështje të ngjashme të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike, në të cilat nuk është paraqitur ankim kushtetues individual, ose për të cilat është paraqitur ankim dhe kontrolli gjyqësor ka përfunduar. Ky vendim prodhon efektet e tij në kuadër të këtij rasti konkret”.
Po nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese kujdeset të sqarojë organet përgjegjëse se në raste të tjera në të ardhmen duhet të respektojnë vendimin e Kushtetueses dhe të jenë të kujdesshëm, për të mos cënuar privatësinë e qytetarëve.







