Turistët që kanë qëndruar në struktura akomoduese gjatë muajit nëntor 2025 kanë shënuar rritje në raport me të njëjtin muaj të vitit paraardhës.
Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi strukturat akomoduese gjatë muajit të 11 të vitit të shkuar tregojnë se jo rezidentet u rritën me 31%.
“Në muajin nëntor 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net qëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Vizitorët gjithsej u rritën me 30,0%, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 31,0% dhe rezidentë 28,0%.
Net-qëndrimet gjithsej u rritën me 29,8%, ku ato jo-rezidentë u rritën me 32,5%, ndërsa ato nga rezidentët u rritën me 23,0%. Vizitorët jo-rezidentë shënuan rritje në zonat jo-bregdetare (+21,6%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+29,8%)” thuhet në publikimin e INSTAT.
Ajo që bie në sy gjatë nëntorit është një tejkalim e numrit të vizitorëve nga Italia në raport me Kosovën që mban peshën kryesore të turizmit gjithëvjetor në vend. E treta është Gjermania.
“Në Nëntor 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (19 %), Kosova (18 %) dhe Gjermania (9 %).
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuuan përkatësisht me 6% dhe 5% të vizitorëve, ndërsa 43% e tyre ishin nga vende të tjera. Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2%, krahasuar me 19,5% në nëntor 2024” thuhet në publikim.
Teksa viti 2025 u mbyll me një shifër mbi 12 milionë të huaj që hynë në vendin tonë, edhe ky vit pritet të ndjekë të njëjtën tendencë rritjeje e cila do të jetë më e moderuar se vitet e mëparshme.
Ngadalësimi vjen si rrjedhojë e një sërë efekteve të lidhura qoftë me zhvillimet e brendshme si rritja e çmimeve në disa rajone, zhvlerësimi i euros që ka prekur kryesisht Kosovën, vlerësimet më të ulëta në forume dhe blogje nga vizitorët ndërkohë që ka një tendencë të tkurrjes së shpenzimeve për shkak të pasigurive gjeopolitike kryesisht në rrafshin global.







