Këshilli i Ministrave ka miratuar dje emërimin e ri në krye të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Me propozim të Ministrit të Mjedisit, në këtë detyrë është emëruar, Marjeta Përlala.
Vendimi bazohet në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin nr. 10431 “Për mbrojtjen e mjedisit”. Ky ndryshim në kupolën drejtuese të AKM-së hyn në fuqi menjëherë, duke i dhënë Përlalës përgjegjësinë për të udhëhequr një nga agjencitë më të rëndësishme monitoruese në vend.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit është institucioni përgjegjës për monitorimin e gjendjes së mjedisit (ajrit, ujit dhe tokës) në shkallë vendi; vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektet e mëdha infrastrukturore dhe industrial; pajisjen me leje mjedisore për subjektet ekonomike; informimin e publikut mbi gjendjen mjedisore dhe ndotjen.







