Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha sot se maxhoranca është e gatshme te prese propozimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, por nuk do të humbasë kohë për të vijuar me përfundimin e tyre
Duke folur në mbledhjen e parë të grupit për këtë vit, ai tha se sa i takon reformës zgjedhore shumica është e variantit të numërimit të votave në qendrat e votimit.
“Të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pallatet e sportit apo palestrat e shkollave, dhe me deputetët e opozitës e bëjmë këtë bisedë sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo, të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit“, tha Balla
Paralelisht me reformën zgjedhore, kreu i grupit të PS foli edhe për reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend.
“Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë“, theksoi Balla.
“Ne jemi gati t’ju dëgjojmë në respekt të atyre që ju kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë, nëse nuk doni të punojmë së bashku, qoftë për këto dy reforma, qoftë për reforma të tjera. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur.
Nga e hëna, 19 janar, dita e parë e këtij sesioni të dytë të legjislaturëse së 11-të , deri në të enjten e fundit të korrikut 2026, duhet të fillojë dhe të mbarojë diskutimi dhe miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit, siç e tha dhe kryetari i kuvendit dhe ai i partisë”.







