Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se opozita do të votojë pro pjesëmarrjes së Shqipërisë në nismën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Bordin e Paqes për Gazën.
Në një intervistë televizive për A2CNN, Zhupa deklaroi se opozita do ta votojë pa asnjë diskutim nismën e Donald Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
“PD-ja ka qenë, është dhe do të jetë një parti proamerikane dhe proeuropiane dhe i shikon si partner strategjik SHBA-të”, tha Zhupa.
“Fakti që Presidenti amerikan po ndërton një bord me të gjitha shtetet, ku Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, pasi aty gjen Rusinë, Bjellorusinë etj, pra nuk është privilegj për Ramën, por thjesht je një shtet që do të jesh pjesë e një bordi me mbi 100 shtete”, theksoi Zhupa.
“Sa i përket PD-së, jo vetëm jemi parti proamerikane, por kemi mbajtur edhe qëndrim publik në mbështetje të Presidentit Donald Trump”, tha deputetja demokrate.
“Mbështesim çdo iniciativë të paqes dhe Trumpit dhe nuk do jemi kurrë kundër vendimeve të marra nga administrata amerikane”, tha Zhupa.
“Kjo nuk është as çështje për diskutim në PD. Është në statutin tonë dhe në idealin tonë. Tentativa e Edi Ramës për ta shitur ftesën si një miqësi personale, si sukses apo lider i përzgjedhur, ishte propagandë sepse nuk ka lidhje me ndonjë arritje të mazhorancës. Është diçka protokollare dhe PD-ja nuk i ngatërron qëndrimet e saj ndaj mazhorancës me raportin që ka me SHBA-në”, theksoi Zhupa.







