Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese e kësaj iniciative.
Osmani u shpreh thellësisht e nderuar për këtë ftesë, duke theksuar se Kosova do të qëndrojë krah për krah me Shtetet e Bashkuara në misionin për ndërtimin e një bote më të sigurt.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.
Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike”, shkruan Osmani.
Presidentja rikujtoi rolin vendimtar të SHBA-ve në sjelljen e paqes në Kosovë, duke nënvizuar se sot Kosova mbetet një aleat i palëkundur i Amerikës në përpjekjet për avancimin e paqes globale.
“Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, shkruan Osmani.
Pjesë e Bordit të Paqes do të jetë edhe Shqipëria, ndërsa një ditë më parë kryeministri Edi Rama pranoi ftesën për të qenë anëtar themelues i kësaj iniciative që do të shërbejë për rimëkëmbjen dhe menaxhimin e Rripit të Gazës.
Iniciativa për Bordin e Paqes pritet të mbledhë liderë dhe përfaqësues të vendeve aleate, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e stabilitetit dhe sigurisë globale.








