Vendimmarrja në Banka e Shqipërisë ka hyrë në një ngërç institucional në fillim të vitit 2026, pasi Këshilli Mbikëqyrës nuk ka mundur të zhvillojë mbledhjen e tij të parë të planifikuar për datën 21 janar, për shkak të mungesës së kuorumit.
Sipas kalendarit vjetor të miratuar, kjo mbledhje do të duhej të shënonte nisjen formale të aktivitetit vendimmarrës për këtë vit, por përfundimi i mandateve të gjashtë prej nëntë anëtarëve e ka bërë praktikisht të pamundur zhvillimin e saj.
Ekofin konfirmoi me BSH se nuk ka patur mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës për mungesë kuorumi.
Situata është krijuar për shkak se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve pas përfundimit të mandatit, ndërsa ligji “Për Bankën e Shqipërisë” kërkon që mbledhjet e Këshillit të zhvillohen me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, duke përfshirë kryetarin ose zëvendëskryetarin. Në kushtet aktuale, ky kriter nuk plotësohet, çka nënkupton se Këshilli Mbikëqyrës nuk ka më kuorum për të marrë vendime, duke bllokuar përkohësisht një organin më të rëndësishëm vendimarrës të institucionit qendror monetar.
Ky nuk është një precedent i panjohur për Bankën e Shqipërisë. Një situatë e ngjashme u shënua edhe në vitin 2018, kur mosplotësimi në kohë i vendeve vakante në Këshillin Mbikëqyrës, po ashtu gjashtë mandate të përfunduara, solli një bllokim të përkohshëm të vendimmarrjes. Edhe atëherë, vonesat në procedurat institucionale për emërimet u reflektuan drejtpërdrejt në funksionimin normal të Këshillit.
Në dhjetor 2025 kanë përfunduar mandatet 7-vjeçare të gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të zgjedhur në fund të vitit 2018. Bëhet fjalë për zëvendësguvernatoren e Parë, Luljeta Minxhozi, si dhe anëtarët joekzekutivë Artan Hoxha, Violeta Staka (e zgjedhur në vitin 2020 për të përfunduar mandatin e ish-anëtarit Arben Malaj), Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa. Tre prej tyre janë kandidatë të propozuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa tre të tjerë nga Këshilli i Ministrave, çka e ndan përgjegjësinë institucionale për plotësimin e vakancave mes dy pushteteve.
Burime nga Kuvendi i thanë Ekofin.al se mbeten në pritje të tre propozimeve nga Këshilli i Ministrave për të vijuar me dëgjesat në Komisionin e Ekonomisë dhe procedurat e tjera përkatëse parlamentare.
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” përcakton se të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Në procedurën e hapur nga Kuvendi janë paraqitur gjithsej 19 kandidatura, përfshirë emra të njohur të fushës akademike, financiare dhe institucionale, ndërkohë tre emrat që do të propozojë Këshilli i Ministrave kalojnë direkt në Komision Ekonomie dhe më tej për votim në seancë.
Mbledhja e rradhës e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, kur pritet të ketë edhe një vendim për politikën monetare është parashikuar më 4 shkurt 2026. Ende nuk dihet nëse deri atëherë do të mund të plotësohet Këshilli Mbikëqyrës me anëtarët e tjerë, përveç Kryetarit, njëherësh Guvernatorit që vijon detyrën, së bashku me dy anëtarët, Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli.







