Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar këtë të mërkurë, 21 janar, lidhur me ftesën e marrë nga homologu i saj amerikan, Donald Trump, për të qenë pjesëmarrëse në Bordin e Paqes.
Në një komunikim për shtyp, Osmani u shpreh se kjo ftesë përbën një rëndësi historike për Kosovën, për shkak se kjo organizatë themelohet nga Shtetet e Bashkuara, e se Kosova mund të kontribuojë në ndërtimin e paqes në botë.
“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Kosovën. Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga SHBA. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA kanë përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës”, tha Osmani.
Ajo vlerësoi se kjo iniciativë e re ndërkombëtare ka potencial të jetë një nga më të suksesshmet në historinë moderne, duke e lidhur drejtpërdrejt me lidershipin e presidentit amerikan.
“Dua ta përmend faktin se kam besim të plotë që kjo organizatë ndërkombëtare do të jetë një ndër organizatat më të suksesshme në historinë moderne të botës. Në radhë të parë për shkak të lidershipit të guximshëm dhe vizionit të presidentit Trump dhe SHBA. Dhe në radhë të dytë për shkak se bazohet në vlerat më fundamentale të njerëzimit, pra në rëndësinë e paqes për të arritur gjithçka tjetër, sepse pa paqe gjithçka tjetër është e pamundur për shtete, kombe dhe popuj. Prandaj me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, deklaroi Osmani.
Megjithatë, Presidentja theksoi se Kosova nuk ka detyrime financiare në këtë Bord, pasi dhe vetë ftesa nuk cilëson diçka të tillë.
“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. I lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës sonë në ndërtimin e paqes”, deklaroi Osmani.
Vetë Presidentja Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, bëri të ditur se SHBA-të kanë ftuar Kosovën në Bordin e Paqes si “anëtare themeluese
Kujtojmë se një ftesë të tillë e ka marrë dhe Shqipëria, gjë që kryeministri, Edi Rama, e ka mirëpritur, si dhe është shprehur se angazhim i vendit për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.
Rama ka shprehur gjithashtu dhe gatishmërinë e plotë për të kontribuar në përpjekjen e paqes në botë.
Zërat për pagesën prej 1 miliard dollarë për të qenë anëtar i Bordit të Paqes, kreu i qeverisë i ka mohuar, duke u shprehur se “E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.







