Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, duke folur nga studio e emisionit “Top Story”, ka deklaruar se në ngjarjet e 21 Janarit, ku u vranë katër protestues, është qëlluar nga disa armë shtetërore, ndërsa hetimet për këtë fakt, sipas tij, nuk janë kryer asnjëherë në mënyrë të plotë.
Karamuço tha se ditët e fundit po qarkullon një informacion i ri, sipas të cilit një provë e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shërbejë për të verifikuar një lidhje të mundshme mes urdhrave të Gardës së Republikës dhe ndonjë nxitjeje nga politika, për të shtyrë efektivët drejt veprimit.
“Sot ne jemi përqendruar te fakti se ku ka qëlluar gardisti Agim Llupo, por ka edhe një armë tjetër shtetërore që ka vrarë një person. Ka gjithashtu të plagosur me armë zjarri. Pra, kanë qëlluar më shumë armë shtetërore. Për këto raste nuk janë mbledhur prova asnjëherë,” u shpreh ai.
Sipas Karamuços, prova e re e ardhur nga SHBA ka nxitur thellimin e hetimeve, për të parë nëse ekziston një zinxhir urdhrash që lidh strukturat e Gardës me vendimmarrje politike, duke hedhur dritë të re mbi një nga ngjarjet më të rënda të pas viteve ’90 në Shqipëri.







