Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar të mërkurën vonë për ta çuar përpara një projektligj, i cili do t’i kërkonte Sekretarit amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës lidhur me trajtimin e pakicave etnike në Serbi, posaçërisht te shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës.
Me 43 vota për, tre kundër dhe asnjë abstenim kaloi ky projektligji i sponsorizuar nga kongresisti republikani Keith Self.
Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve.
Më pas, ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Projektligji kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.
Shqiptarët që jetojnë në këto tri komuna në jug të Serbisë shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.
Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën ata janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023./REL







