Dy qytete evropiane përgjatë këtij viti do të konsiderohen si kryeqendrat e kulturës evropiane: Oulu (Finlandë) dhe Trenčín (Sllovaki).
I vendosur në rajonin finlandez të Ostrobothnia Veriore, Oulu ndërtoi programin e tij kulturor në bashkëpunim me 39 bashki të tjera për të festuar përfshirjen dhe bashkëpunimin brenda peizazhit kulturor evropian. Oulu 2026 do të përfshijë qindra artistë, krijues dhe profesionistë të kulturës që vijnë jo vetëm nga qyteti dhe rajoni përreth tij, por edhe nga e gjithë Evropa.
Në qendër të programit të tij kulturor, Oulu ka vendosur çështjet e “Ndryshimit të Klimës Kulturore” për të adresuar sfidat aktuale globale, duke përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm, diversitetin kulturor dhe qëndresën.
Në mes të janarit ky qytet u shndërrua në një oaz festivalesh, me instalime arti, muzikë, teatër, shfaqje dhe ekspozita.
Oulu 2026 do të shfrytëzojë kontrastet sezonale të Finlandës. Në shkurt, Nallikari SnowFest do të sjellë gara ndërkombëtare të skulpturave prej dëbore, ndërsa më pas do të mbahet festivali unik i muzikës elektronike Frozen People, mbi detin e ngrirë. Në verë, kur dielli pothuajse nuk perëndon, qyteti do të organizojë vrapimin në diellin e mesnatës më 4 korrik, me distanca nga 10 kilometra deri në maratonë të plotë.
Ndërsa Trencin ka një program të ndërtuar rreth temës së “Kuriozitetit”. Qyteti sllovak synon të frymëzojë ndërtimin e urave midis njerëzve, midis të kaluarës dhe të ardhmes, dhe midis imagjinatës dhe realitetit.
Përmes kuriozitetit, programi kërkon të riimagjinojë hapësirat publike, të forcojë marrëdhëniet e komunitetit dhe të frymëzojë kreativitetin dhe inovacionin. Qyteti i Trenčín-it, i njohur për kështjellën e tij historike, është pozicionuar si një qendër për shkëmbim dhe eksplorim kulturor, me qëllim nxitjen e një shoqërie të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Një nga pikat kryesore të programit sllovak është “Pusi i Dashurisë”, një ekspozitë multimediale, nga artistë turq, që hapet në shkurt 2026.
Ndërkohë Festivali Letrar do të sjellë takime me shkrimtarë, së bashku me teatër, muzikë dhe histori nga e gjithë Evropa.







