Ka nisur protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, ishte i pari që hapi fjalimet në protestën e PD, në sheshin para kryeministrisë.
Në fjalën e tij, ai akuzoi kryeministrin Rama se e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu.
“Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit”, tha Boçi.
Luçiano Boçi: sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik as për tu numëruar nga dronët vampirë të medias së Edi Ramës. Nuk jemi mbledhur sot as për tu parë me urrejtje nga perdet e dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat.
Ne jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria për familjen, dinjiteti ynë, rezistenca. Jemi thirrur këtu nga ndërgjegjia, sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit.
Dhe ne duhet ta shembim këtë pushtet dhe aty nuk është vendi i qeverisë por vendi i hajnisë. Është detyrë e historisë, para të gjithë qytetarëve.
Këtu vjedhja ka emër dhe shifra, fillon me inceneratorët, më pas me tunelet, aeroportet.
Pak për indiferencën tonë politike, pak nga verbëria e ndërkombëtarëve, më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu Republikën e Shqipërisë, në Republikën e korrupsionit. Ditë pas dite i zhvati tokë, pasuri njerëz kësaj republike
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga qytetarët që sot “t’i bëjnë gjyqin kryeministrit”, duke marrë pjesë në protestën e thirrur në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Pak orë para protestës, Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të “ngrihen në lartësinë e këtij misioni”.
“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.”-shkruan Berisha.
Përmes protestës PD kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa detajet e këtij tubimi po mbahen ende diskrete.
Policia e Tiranës ndërkohë ka merr masa, duke nxjerrë në terren 1300 forca policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë politike. Kryeministria nga ana tjetër ka fortifikuar dyert dhe është e rrethuar. Pritet të ketë prezencë dhe të zjarrfikësve dhe ambulancës sipas protokollit.
Pak minuta para nisjes së protestës, lideri i PD-së, Sali Berisha shkoi në seli dhe nga aty, u nis me simpatizantët e tij drejt Kryeministrisë.







