HomeAktualitetDrafti i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet përfshin tani edhe përmbytjet

Drafti i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet përfshin tani edhe përmbytjet

Advertismentspot_img

Drafti për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet u hodh për konsultim publik në korrik 2025, por nuk u miratua nga qeveria gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë ky eshte një version i ri iprojektligjit, ku grupi i punës ka zgjeruar skemën: krahas tërmeteve, parashikohet të përfshihen edhe përmbytjet, një lëvizje e lidhur drejtpërdrejt me ekspozimin e shtuar të banesave ndaj këtij rreziku dhe me episodet e fundit të përmbytjeve në vend.

Në thelb, drafti i ri synon të ndërtojë një mekanizëm të detyrueshëm financiar (përmes primit të sigurimit) për të përballuar humbjet materiale në banesa, duke e zhvendosur gradualisht peshën nga reagimi “pas ngjarjes” drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut. Ashtu si edhe në draftin e mëparshëm, edhe në këtë version skema do të administrohet nga Fondi Kombëtar, në formën e një SH.A-je shtetërore, duke lënë jashtë shoqëritë e sigurimit.

Çfarë përfshin skema: banesa dhe njësi brenda tyre, por me përjashtime të qarta

Sipas versionit të konsultuar nga Ekofin.al, sigurimi i detyrueshëm zbatohet për banesat, si edhe për seksione brenda banesave që përdoren si njësi/zyra apo për qëllime të ngjashme.

Nga ana tjetër, drafti parashikon edhe përjashtime: skema nuk zbatohet për ndërtesa të ndërtuara me argjilë/qerpiç, strukturë me fibër–kallami apo të ngjashme, si edhe për ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Kush detyrohet të sigurohet dhe si financohen kategoritë në nevojë

Detyrimin për sigurim e kanë pronarët (dhe jo vetëm), por drafti e zgjeron qartësisht bazën e subjekteve: “i siguruari” konsiderohet edhe përdoruesi që ka kontratë në emrin e tij me entin e shpërndarjes së energjisë elektrike ose furnizimit me ujë, pavarësisht nëse disponon dokument pronësie dhe pavarësisht nga shkalla e shfrytëzimit të ndërtesës.

Kontrata duhet të lidhet dhe të rinovohet çdo vit (ose për periudha më të gjata sipas policës).

Në skemë përfshihen edhe personat për seksione brenda ndërtesave me destinacion banesë (edhe kur përdoren si njësi shitje/zyra); si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për banesat sociale, ku primi financohet nga buxheti i tyre.

Një element me impakt social është se buxheti i shtetit financon primin për personat fizikë që përfitojnë ndihmë sociale, ndërsa kategoritë dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Çfarë mbulon sigurimi dhe çfarë përjashton: jo dëme trupore, por edhe sende (vetëm te përmbytjet)

Kontrata mbulon dëmet në pasurinë e paluajtshme të siguruar të shkaktuara nga ngjarje tërmeti apo përmbytjeje gjatë vlefshmërisë së policës.

Përjashtimet kryesore janë domethënëse: nuk mbulohen dëmtimet fizike trupore (përfshi vdekjen), dëmet jopasurore, si edhe humbjet nga ndërprerja e veprimtarisë/fitimi i munguar.

Ndërkohë, drafti bën një dallim të fortë që lidhet me përmbytjet: sendet brenda banesës në parim përjashtohen, por në rastin e sigurimit të përmbytjeve “mbulohen në sigurim edhe sendet brenda banesës”.

Primi, shuma e sigurimit dhe “pjesa e zbritshme”: çfarë paguan qytetari dhe si llogaritet risku

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.  Drafti vendos edhe një pjesë të zbritshme: 2% e vlerës së dëmshpërblimit, që mbulohet nga i siguruari për çdo dëm nga ngjarjet e mbuluara.

Për primin, parashikohet pagesë e plotë nga i siguruari, ndërsa metodologjia e përcaktimit do të jetë aktuariale, me klasifikim të banesave mbi bazë rreziku, dhe do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas marrjes së mendimit nga AMF.

Si lidhet kontrata dhe kur hyn në fuqi: edhe pagesë elektronike dhe rregulla të qarta për pezullimin

Kontrata konsiderohet e vlefshme nëse primi paguhet pranë agjentëve të shitjes, pranë Fondit, ose edhe në mënyrë elektronike.  Ajo duhet të përmbajë elementë minimalë, si rreziqet e mbuluara, datat e fillimit/mbarimit, shumën e siguruar dhe primin.

Vlefshmëria standarde është një vit (ose periudha më të gjata vjetore), dhe kontrata hyn në fuqi në orën 24:00 të datës së shënuar; nëse primi nuk paguhet në kohë, sigurimi pezullohet deri në orën 24:00 të ditës kur kryhet pagesa.

Në rast të ndryshimit të pronësisë, kontrata mbetet e vlefshme për pronarin e ri, i cili duhet të njoftojë Fondin brenda 15 ditëve kalendarike.

“Fondi Kombëtar”: institucioni që administron skemën dhe si financohet

Në qendër të draftit është krijimi i Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, si person juridik publik i organizuar në formën e një shoqërie aksionare; shteti përfaqësohet si pronar aksionesh nga ministria përgjegjëse për financat. Fondi parashikohet me pavarësi operacionale e financiare.

Burimet e financimit përfshijnë primet, komisionet nga transaksionet e risigurimit, të ardhurat nga investimi, buxhetin e shtetit, grante/donacione dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

Shpenzimet kryesore lidhen me dëmshpërblimet, trajtimin e dëmeve, komisionet për lidhjen e kontratave, risigurimin dhe shpenzimet operative të Fondit.

Fondi ka edhe detyrim raportimi: i raporton të paktën 2 herë në vit ministrit përgjegjës për financat dhe AMF, dhe publikon në faqen zyrtare raporte periodike, të dhëna e statistika.

Zbatimi dhe “detyrimi në praktikë”: lidhja me kadastrën, e-Albania dhe QKB

Një nga mekanizmat më të fortë të draftit është lidhja e sigurimit me marrjen e shërbimeve publike. Personat që kërkojnë regjistrime/ndryshime regjistrimi apo shërbime të tjera kadastrale duhet të paraqesin paraprakisht kontratë të vlefshme sigurimi; mungesa e kontratës pamundëson marrjen e shërbimeve kadastrale.

Për ata që nuk lidhin kontratë, parashikohen edhe masa shtrënguese administrative, përfshirë kufizime në disa shërbime në e-Albania (të përcaktuara me VKM) dhe mos-përfitim shërbimesh nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Përmbytjet: përkufizimi, modeli i riskut dhe zbatimi i fazuar

Drafti sjell edhe një përkufizim të qartë të përmbytjes: fenomen natyror që shkakton dëme materiale përmes depërtimit të ujit në ndërtesë, si rezultat i reshjeve të dendura, daljes së lumenjve nga shtrati, thyerjes së digave apo dështimit të kanalizimeve.

Por, ndryshe nga tërmetet, skema për përmbytjet parashikohet e kushtëzuar dhe e fazuar. Fondi detyrohet ta zbatojë sigurimin e detyrueshëm nga përmbytjet në zona të caktuara, bazuar në metodologjinë e primit dhe në modelin e riskut nga përmbytjet të zhvilluar për Shqipërinë.

Modeli i riskut hartohet nga Fondi me parime aktuariale dhe të dhëna historike/hidrologjike, dhe përfshin elementë si: identifikimin e zonave sipas riskut (urbane, rurale, infrastrukturë kritike), karakteristikat e banesave, skenarët dhe probabilitetin e përmbytjes, kategoritë e dëmeve, parametrat teknikë për llogaritjen e primit dhe përditësimin periodik duke marrë parasysh edhe ndryshimet klimatike e zhvillimet urbanistike.

Metodologjia dhe modeli miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe pas pëlqimit nga AMF, ndërsa sigurimi i detyrueshëm nga përmbytjet hyn në fuqi pas miratimit të modelit për zonat me risk.

Afatet: kur hyn në fuqi ligji dhe çfarë duhet të nxjerrë qeveria më pas

Drafti parashikon një hyrje në fuqi jo të menjëhershme: ligji hyn në fuqi 12 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Po ashtu, ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi të nxjerrë një sërë aktesh nënligjore për zbatimin e neneve kyçe (përfshirë primin, shumën e sigurimit, zbatimin dhe përmbytjet).

Çfarë nënkupton ky rikthim i draftit për tregun dhe qytetarët

Përfshirja e përmbytjeve e transformon draftin nga një skemë e fokusuar vetëm te risku sizmik, në një instrument më të gjerë të menaxhimit të fatkeqësive natyrore. Në praktikë, ky ndryshim pritet të hapë debat jo vetëm për koston e primit dhe klasifikimin e riskut, por edhe për mënyrën se si do të përcaktohen zonat me rrezik përmbytjeje, kur do të miratohen modelet dhe si do të administrohet raportimi e transparenca e Fondit.

Nëse drafti ecën drejt miratimit, ai sjell një realitet të ri: sigurimi i banesës nuk mbetet më thjesht zgjedhje vullnetare, por lidhet me aksesin në shërbime publike dhe me një arkitekturë të re institucionale ku Fondi është hallka qendrore e skemës, ndërkohë që kompanitë e sigurimit edhe në këtë version mbeten jashtë dhe mund të luajnë vetëm rolin e agjentit për shitjen e policës. Një pikë që pritet të sjellë jo pak debat është ajo ku theksohet se “Shoqëritë e sigurimit privat nuk mund të lidhin kontrata sigurimi vullnetare për tërmetet apo përmbytjet për një banesë, që nuk ka lidhur më parë një kontratë sigurimi të detyrueshme me Fondin”. /ekofin.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular