Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi strategjinë e zhvillimit të këtij sporti deri në 2030. Investimi në infrastrukturë dhe kualifikimet në aktivitete madhore janë pika të rëndësishme të projektit të FSHF-së.
“Të ndërtojmë 30 deri në 40 fusha futbolli në 4 vitet e ardhshme. Pjesëmarrja e ekipit A në Europian dhe Botëror.”, tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Këto projekte janë vijueshmëri e asaj që u realizua prej 2022-shit. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, tha se janë shtuar më shumë se 40 fusha dhe 5 projekte me stadiumet, me mbi 16 milionë euro të investuara.
Kombëtarja A mori pjesë në Europianin e 2024 dhe është në garë për t’u kualifikuar në Botërorin 2026. Ligji i sponsorizimit, sipas Dukës, është një tjetër pikë e strategjisë së federatës së futbollit.
“Do të bashkëpunojmë me qeverinë për ligjin e sponsorizimit.”, tha Duka.
Zhvillimi i futbollit të të rinjve, atij të vajzave, forcimi i klubeve apo rritja e numrit të trajnerëve dhe arbitrave janë pika të tjera të strategjisë së FSHF-së deri në vitin 2030.







