nga Prof.Dr.Pal Nikolli
Në çdo auditor universitar, përtej tabelës, librave dhe titujve akademikë, ndodhet një provë e heshtur, por vendimtare: aftësia e pedagogut për ta kthyer dijen në kuptim. Njohuritë shkencore janë themeli i mësimdhënies universitare, por pa njohuri pedagogjike ato mbeten shpesh një pasuri e pashfrytëzuar, e mbyllur në gjuhë teknike dhe struktura të pakuptueshme për studentin.
Një pedagog i mirë nuk matet vetëm nga bibliografia që ka prodhuar apo nga titujt që mban përpara emrit. Ai matet, mbi të gjitha, nga aftësia për të shpjeguar thjesht atë që është e ndërlikuar, për të ndriçuar mendjen e studentit pa e tronditur atë me terminologji të panevojshme apo me autoritet formal. Thjeshtësia në mësimdhënie nuk është shenjë varfërie intelektuale; përkundrazi, ajo është dëshmi e thellësisë së kuptimit.
Në këtë kuptim, universitetet shpesh bien në një keqkuptim të rrezikshëm: barazojnë shkencëtarin e mirë me pedagogun e mirë. Historia e arsimit, por edhe përvoja e përditshme, tregojnë se këto dy role nuk janë gjithmonë të përputhshme. Mund të ketë profesorë me karriera shkencore të shkëlqyera, por që nuk arrijnë të krijojnë asnjë urë komunikimi me studentët. Po aq e vërtetë është edhe e kundërta: pedagogë të jashtëzakonshëm në mësimdhënie, të aftë të ndezin kureshtjen dhe mendimin kritik, por që nuk shquhen në kërkimin shkencor.
Problemi lind kur sistemi akademik vlerëson vetëm njërën anë të medaljes. Kur avancimi në karrierë kushtëzohet pothuajse ekskluzivisht nga botimet dhe jo nga cilësia e mësimdhënies, pedagogjia trajtohet si një aftësi dytësore, e fituar “vetvetiu”. Në realitet, mësimdhënia është një shkencë më vete, që kërkon formim, reflektim dhe përditësim të vazhdueshëm, njësoj si çdo disiplinë tjetër.
Njohja e metodave pedagogjike, e psikologjisë së të nxënit dhe e komunikimit didaktik nuk e dobëson figurën e pedagogut universitar; përkundrazi, e plotëson atë. Një pedagog që di të ndërtojë një leksion, të strukturojë mendimin dhe të përshtatë gjuhën sipas nivelit të studentëve, i jep dijes jetë dhe qëndrueshmëri. Ai nuk transmeton vetëm informacion, por formon mënyra të menduari.
Në fund, universiteti nuk është thjesht një fabrikë diplomash apo një qendër prodhimi artikujsh shkencorë. Ai është një hapësirë formimi njerëzor dhe intelektual. Prandaj, nevoja për njohuri të thella shkencore duhet të ecë paralelisht me nevojën për kompetencë pedagogjike. Vetëm aty ku dija di të flasë qartë, arsimi arrin misionin e tij të vërtetë.







