Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) , që përfaqëson anëtarë në sektore të ndryshem në Shqipëri, iu është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me një shkresë në lidhje me problematikat e përsëritura në sistemin e fiskalizimit, të cilat po sjellin bllokime serioze në aktivitetin ekonomik dhe rrisin riskun e penaliteteve ndaj bizneseve për shkaqe që nuk burojnë nga subjektet tatimpaguese.
PROBLEMATIKAT E KONSTATUARA
Gjatë periudhës 20 janar 2026 dhe ne vazhdim , anëtarët tanë kanë raportuar në mënyrë të vazhdueshme këto bllokime:
- Nuk regjistrohet certifikata e re e fiskalizimit
- pengon rinovimin apo aktivizimin e elementëve bazë të funksionimit;
- pamundëson vijimin normal të proceseve të fiskalizimit.
- Nuk hapet dot filial i ri
- bllokon zgjerimin apo organizimin e aktivitetit;
- pengon regjistrime që lidhen me operimin ligjor të njësive të reja.
- Nuk ndryshohet dot operatori
- në raste largimi, shtimi, zëvendësimi punonjësish, bllokohet faturimi dhe fiskalizimi;
- krijon rrezik për ndërprerje të aktivitetit dhe ankimime me klientë apo partnerë.
Aktualisht mungon një komunikim zyrtar, gjë që vështirëson planifikimin dhe veprimin korrekt nga ana e bizneseve.
PASOJAT NDAJ BIZNESEVE DHE INTERESIT PUBLIK
- Këto bllokime po sjellin pasoja të drejtpërdrejta:
- Ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime;
- Rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhje në dokumentacion;
- Kosto shtesë operative (kohë, staf, suport teknik, humbje klientësh);
- Ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë;
- Dëmtim të besimit te procesi dhe te formalizimii tregut me fiskalizimin.
- Njëkohësisht, kjo situatë prek edhe interesin publik sepse:
- ul ritmin e qarkullimit dhe ndikon në arkëtimet tatimore,
- krijon pasiguri në faturime,
- dëmton klimën e të bërit biznes.
KËRKESAT
APL kërkon zgjidhje, udhëzim dhe garanci që bizneset të mos mbajnë kosto dhe përgjegjësi për një problem jashtë kontrollit të tyre :
- Njoftim zyrtar në lidhje me afatet e rikthimit në funksionim normal.
- Trajtimi i rasteve kritike (ndërrim operatori, certifikatë e re, hapje filiali).
- Mos penalizim për vonesa apo gabime që burojnë nga mosfunksionimi i sistemit, thuhet në shkresën e APL.







