HomeEkonomiBruegel: Shqipëria mes vendeve evropiane me nivelet më të larta të prodhimit...

Bruegel: Shqipëria mes vendeve evropiane me nivelet më të larta të prodhimit të energjisë nga fotovoltaikët

Advertismentspot_img

Shqipëria renditet ndër vendet me potencialin më të lartë natyror për energji diellore jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në krahasim me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas raportit të Bruegel, në vitin 2024, energjia diellore përbënte më pak se 5% të prodhimit total të energjisë elektrike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ndërkohë që mesatarja e BE-së arriti në 11.2%. Ky hendek pasqyron vite nëninvestimi, mungesë të zgjerimit të rrjetit dhe orientim historik drejt burimeve tradicionale, veçanërisht hidroenergjetikës.

Të dhënat tregojnë qartë se Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të prodhimit praktik specifik të energjisë fotovoltaike (PVOUT) në rajon. Me rreth 4.0 kWh/kWp/ditë, Shqipëria pozicionohet mbi mesataren e BE-së (3.4 kWh/kWp/ditë) dhe në të njëjtin nivel me vendet më jugore të Unionit si Greqia, Portugalia dhe Spanja. Kjo do të thotë se një kilovat kapacitet diellor i instaluar në Shqipëri (afërsisht tre panele diellore) prodhon ndjeshëm më shumë energji elektrike në ditë sesa e njëjta njësi në shumicën e vendeve europiane.

Në terma praktikë, kjo e bën Shqipërinë një nga zonat më të favorshme në Evropë për investime në fotovoltaikë, si në shkallë të madhe ashtu edhe për vetëprodhim nga familjet dhe bizneset. Megjithatë, mungesa e kapaciteteve të instaluara tregon se ky potencial mbetet kryesisht i pashfrytëzuar, duke përfaqësuar një mundësi të madhe zhvillimi për dekadën e ardhshme.

Ndryshe nga energjia diellore, zgjerimi i energjisë së erës në tokë ka qenë më i dukshëm në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, edhe pse me ritme ende të kufizuara. Shqipëria është gjithashtu një nga dy vendet e rajonit me dalje në Adriatik dhe Jon, çka e vendos teorikisht në hartën e diskutimeve për energjinë e erës në det (offshore).

Megjithatë, raporti i Bruegel nënvizon se projektet offshore përballen me kosto shumë të larta, mungesë të të dhënave të detajuara mbi batimetrinë dhe dilema të forta lidhur me ndikimin në turizëm, një sektor kyç për ekonominë shqiptare, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare.

Ka prova shumë të kufizuara mbi potencialin e erës në det dhe kufizimet në aspektin e batimetrisë (thellësisë së ujit) përgjatë brigjeve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Këto dy vende mbështeten ndjeshëm te turizmi, veçanërisht gjatë verës dhe përgjatë vijave bregdetare, çka mund të jetë një faktor shtesë debati mbi qëndrueshmërinë e parqeve offshore në këto dy vende”, citon raporti.

Ballkani Perëndimor, potencial natyror shumë të lartë se Evropa

Siç pritet, potenciali i energjisë diellore ndryshon nga veriu në jug. Ndërsa vendet veriore dhe qendrore të BE-së, si Irlanda (2.5 kWh/kWp/ditë) dhe Gjermania (3.0), marrin ndjeshëm më pak energji diellore sesa mesatarja e BE-së (3.4 kWh/kWp/ditë), Ballkani Perëndimor gëzon potencial natyror shumë më të lartë, me vlera mesatare ndërmjet 3.7 dhe 4.0 kWh/kWp/ditë. Vetëm shtetet më jugore anëtare të BE-së (Qiproja, Malta, Greqia, Portugalia dhe Spanja) janë përpara Ballkanit Perëndimor sipas këtij treguesi.

Mesatarisht, një kilovat kapacitet diellor (afërsisht tri panele diellore) në Ballkanin Perëndimor prodhon 3.8 kWh energji elektrike në ditë, rreth 11 për qind më shumë se një njësi paneli diellor në BE, duke nënvizuar potencialin e pashfrytëzuar të energjisë diellore në rajon.

Sipas raportit, zgjerimi i energjisë së erës në tokë (onshore), megjithëse më i kushtueshëm nga pikëpamja infrastrukturore, ka avancuar më shumë në rajon sesa energjia diellore. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë parqe me erë, gjithsej 14 në kohën e shkrimit (Në këtë shifër përfshihen këto parqe: pesë në Bosnjë dhe Hercegovinë (Mesihovina, Jelovaca, Podveležje, Ivovik dhe Ivan Sedlo), dy në Kosovë (Kitka dhe Selac/Bajgora), dy në Mal të Zi (Krnovo dhe Mozura), dy në Maqedoninë e Veriut (Bogdanići dhe Bogoslovec), dhe tre në Serbi (Čibuk, Kovačica, Pupin). Disa të tjera janë në ndërtim.

Kjo lidhet me kapacitetin e lartë të energjisë së erës në këtë rajon të Evropës, edhe pse ai është më i ulët se në Evropën Veriore. Pavarësisht shpejtësive mesatare përgjithësisht më të ulëta të erës në Ballkanin Perëndimor, modelet e tyre kohore plotësojnë ato të regjimeve të erës në Evropën Veriore, veçanërisht gjatë “pauzave të rënda të erës në rajonin e Detit të Veriut”.

Këto plotësime sinoptike (nga disa ditë deri në disa javë) mund të përmirësojnë balancimin ndërrajonal dhe, rrjedhimisht, të rrisin efikasitetin me të cilin përmbushet kërkesa për energji elektrike si në BE ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në horizonte kohore që janë të vështira për t’u balancuar me magazinim afatshkurtër standard ose fleksibilitet të kërkesës./ekofin.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular