Kompania shtetërore shqiptare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, KAYO, pritet të hapë rreth 326 vende të reja pune dhe të nisë prodhimin e prototipeve dhe produkteve të para gjatë këtij viti.
Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë do të miratojë procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e personelit, ndërsa parashikohet edhe angazhimi i ekspertizës së jashtme apo personelit të përkohshëm për funksione specifike. Punonjësit do t’i nënshtrohen rregullave të rrepta të sigurisë, konfidencialitetit dhe sekretit tregtar e shtetëror.
Rregullorja ndalon çdo përfshirje të stafit në aktivitete private që lidhen me prodhimin apo tregtimin e armëve, si gjatë marrëdhënies së punës ashtu edhe për një periudhë 5-vjeçare pas shkëputjes nga kompania. Po ashtu, ndalohet punësimi i personave me dënime penale të rënda, përfshirë krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin e armëve apo krime të tjera të rënda.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, KAYO parashikohet të gjenerojë rreth 3.8 milionë euro të ardhura direkte, ndërsa përfitimet për buxhetin dhe ekonominë kombëtare vlerësohen në rreth 8 milionë euro.







