Edhe pse 2026 nuk është vit zgjedhor, partitë shqiptare përfitojnë fondin vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që këtë vit arrin 3.5 milionë euro. Pjesa më e madhe shkon te Partia Socialiste me 83 mandate, e cila merr mbi 1.7 milionë euro, ndërsa Partia Demokratike përfiton rreth 800 mijë euro.
Partia e Lirisë, e drejtuar nga Tedi Blushi, merr 113 mijë euro, ndërsa koalicioni aleat i demokratëve, “Koalicioni Madhështor”, siguron mbi 1 milion euro, megjithëse partitë e vogla brenda koalicionit kanë ankesa mbi shpërndarjen e fondit.
KQZ sqaron se shpërndarja bëhet në raport me përqindjen e votave të secilit subjekt brenda koalicionit dhe jo në nivel kombëtar, çka ndryshon për partitë që nuk janë pjesë e një koalicioni.
Edhe partitë jashtë parlamentit përfitojnë: Nisma Thurje mori 40 mijë euro, Koalicioni Euroatlantik rreth 46 mijë euro, ndërsa partitë e reja parlamentare të Lapaj, Shehaj dhe Qori u financuan nga votat e fituara në zgjedhje.








