HomeAktualitetKush inspektohet më shpesh? Nga baret, hotelet, resortet, te spitalet dhe shkollat,...

Kush inspektohet më shpesh? Nga baret, hotelet, resortet, te spitalet dhe shkollat, shteti shton kontrollet sanitare

Advertismentspot_img

Nga baret dhe palestrat te spitalet, shkollat dhe ujësjellësit, një numër i madh aktivitetesh do të jenë nën kontroll të rregullt sanitar gjatë këtij viti, me inspektime që variojnë nga një deri në tre herë në vit, në varësi të nivelit të riskut që paraqesin.

Plani publik i inspektimeve nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor  vendos një regjim më të ashpër për sektorët kritikë për shëndetin publik, duke i dhënë përparësi spitaleve, institucioneve arsimore dhe furnizimit me ujë, ndërsa zgjeron monitorimin edhe mbi shërbime të përditshme si baret, qendrat mjekësore private, subjektet turistike dhe hapësirat kulturore e sportive.

Subjekte me risk të moderuar, një inspektim në vit

Në kategorinë e riskut të moderuar përfshihen një gamë e gjerë aktivitetesh shëndetësore, shërbimi dhe rekreative, të cilat do t’i nënshtrohen inspektimit sanitar një herë në vit. Këtu bëjnë pjesë kabinetet mjekësore jo publike, qendrat mjekësore jo publike, shërbimet laboratorike mjekësore si publike ashtu edhe private, si edhe kabinetet dentare dhe laboratorët dentarë, pavarësisht nëse janë publikë apo jopublikë.

Në të njëjtën kategori hyjnë edhe subjektet e akomodimit me fjetje, nga hotelet dhe resortet, te bujtinat, fshatrat turistike dhe kampingjet, si dhe pishinat. Po ashtu, një herë në vit do të kontrollohen subjektet social kulturore dhe sportive, përfshirë muzetë, teatrot, kinematë, bibliotekat, palestrat, sallat e kërcimit, parqet kombëtare dhe kampingjet ditore.

Lista përfshin edhe institucione me ndjeshmëri të veçantë, si burgjet, paraburgimet dhe komisariatet e policisë, si dhe subjektet që janë inspektuar për sigurinë në punë. Një inspektim vjetor parashikohet edhe për shërbimet ndërhyrëse higjieno sanitare, subjektet importuese të DDD dhe të produkteve zëvendësuese të qumështit të gjirit, si dhe për baret në të gjitha format e tyre, nga bar kafe dhe pub, te diskotekat dhe sallat e lojërave.

Subjekte me risk të lartë, dy inspektime në vit

Në nivelin e riskut të lartë, frekuenca e kontrolleve dyfishohet. Spitalet publike dhe jopublike, poliklinikat publike, si dhe qendrat shëndetësore dhe pikat ambulatore publike do të inspektohen dy herë në vit. E njëjta skemë zbatohet edhe për institucionet arsimore, që nga çerdhet dhe kopshtet, te shkollat fillore, 9 vjeçare, të mesme, universitetet dhe konviktet universitare.

Një trajtim i veçantë parashikohet për subjektet me veprimtari jonizuese, ku përdoren lëndë radioaktive ose pajisje rrezatuese. Këto aktivitete nuk kufizohen në një numër të caktuar kontrollesh, por do të jenë nën inspektim gjatë gjithë vitit, për shkak të rrezikut të shtuar që paraqesin për shëndetin dhe mjedisin.

Risk shumë i lartë, tre inspektime në vit për ujin

Kategoria më kritike mbetet ajo e furnizimit me ujë. Burimet e ujit, depot, stacionet e pompimit, ujësjellësit dhe puset do të inspektohen tre herë në vit. Ky fokus i shtuar reflekton rëndësinë strategjike të ujit të pijshëm dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që cilësia e tij ka në shëndetin publik./Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular