PD do të marrë pjesë në Komisionet për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore, edhe pse më parë kishin qëndrim për bojkot.
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se tërheqja nga ideja e bojkotit erdhi pas kundërshtimit të fortë nga një grup deputetësh, të cilët sipas tij shmangën pasoja të rënda për PD-në dhe vendin. Spaho thekson se ky qëndrim dëshmoi se në opozitë ka ende figura me parime dhe përgjegjësi politike.
“Dje pati dy zhvillime të rëndësishme nga fronti i Partisë Demokratike. Fillimisht, PD deklaroi se bojkoti i reformës territoriale do të diskutohej në Kryesi dhe se më pas do të merrej një vendim për qëndrimin e mëtejshëm. Më vonë, u njoftua se nuk do të ketë bojkot dhe se PD do të vazhdojë të jetë pjesë e reformës territoriale. Udhëheqja e PD-së dhe Kryetari u tërhoqën pasi panë se sa shumë deputetë iu kundërvunë bojkotit, i cili do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për PD-në, por edhe për vendin.
Deputetët që kundërshtuan dje kanë bërë një shërbim të madh për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Ata treguan se në opozitë ka ende njerëz me parime dhe se jo të gjithë janë të interesuar vetëm për karrige. Shumica e atyre që kundërshtuan vijnë nga Rithemelimi, çka tregon se kjo lëvizje nisi si një përpjekje për transformimin e PD-së në një parti me rregulla, parime, program dhe meritokraci. Fatkeqësisht, këto parime u lanë rrugës për shkak të drejtuesve, të cilët zgjodhën interesa të tjera mbi ato të PD-së dhe të shoqërisë.
Të flasësh hapur në PD, ndryshe nga sa predikon udhëheqja dhe Kryetari, është një akt vetëflijimi politik. Kush ka folur është përjashtuar nga studiot televizive ose është vetëpërjashtuar. Këtë e them me bindje personale, pasi jam përjashtuar nga PD në tetor 2021, kur ndoqa me vendosmëri Rithemelimin, si dhe jam shkarkuar nga detyra e Drejtuesit Politik të Korçës pa asnjë shpjegim, në prag të zgjedhjeve të vitit 2025.
Vazhdimi i ideve për bojkot të institucioneve, në kushtet kur PD është dobësuar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, tregon qartë se jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar, por edhe se cilët kanë qenë përgjegjës për braktisjen e reformës territoriale në vitin 2014, djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
I theksoj këto për të evidentuar edhe një herë shërbimin e madh që ata 10 deputetë i kanë bërë Partisë Demokratike dhe shoqërisë. Uroj që ky veprim të kthehet në një qëndrim të qëndrueshëm, derisa PD të rikthehet në një forcë reale për të rrëzuar Edi Ramën.” – shkruan Spaho.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehu thotë se ndarja aktuale territoriale nuk i përshtatet realitetit të sotëm, sepse i trajton njësoj qytetet e mëdha dhe zonat rurale. Kësisoj ai kërkon një rishpërndarje të tillë që të sigurojë përfaqësim më demokratik dhe administratë më efikase dhe bën thirrje për thyerjen e monopolit politik që ka qendra mbi periferitë. Për të protestat e opozitës janë të drejta, por nuk mjaftojnë për të ndryshuar situatën dhe nënvizon se bashkimi rreth Sali Berishës nuk është më zgjidhje për ta nxjerrë opozitën nga ngërçi.
”Protestat janë shenjë demokracie. Unë nuk mendoj që situata zgjidhet me protesta, ndryshe do të ishte shumë e bukur. Protesta kemi bërë në 2019 dhe në 2021 kur u braktis parlamenti, edhe ky një gabim fatal, pra kemi bërë protesta shumë më të mëdha se këto dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk shoh asnjë shpresë, ndonëse është e drejtë të protestohet.
Unë kam qenë me idenë që opozita të jetë 360 gradë, protesta dhe jetë politike e parlamentare, prezencë ne media, prezencë me ndërkombëtarët, sindikatat, shoqërinë civile. Ka tentativa për bashkim mirëpo ajo që na afrohet është që të bashkohemi përqark Berishës. Kjo punë nuk vlen më. Unë besoj që personazhi nuk është më i vlefshëm për të udhëhequr opozitën. Duhet gjetur një formulë tjetër, një rrugë tjetër, një trajektore tjetër politike”,-tha Shehi.







