HomeKultureLekë Dukagjini, personaliteti që kaloi historinë dhe u ngjit në mit

Lekë Dukagjini, personaliteti që kaloi historinë dhe u ngjit në mit

Advertismentspot_img

Nga Halil Teodori

Lekë Dukagjini është figura e dytë më e lavdishme arbërore e shekullit XV, menjëherë pas Skënderbeut, por jo në hije të tij, në krah të tij. Ai ishte prijësi që mbajti gjallë luftën edhe pas vdekjes së Heroit Kombëtar, duke provuar se rezistenca shqiptare nuk ishte e lidhur vetëm me një njeri, por me një frymë të tërë, me një dinjitet të rrënjosur thellë në trungun e Iliris Dardane. Në historinë tonë, Leka qëndron si ura që lidh dy epoka: epokën e luftës së bashkuar nën Skënderbeun dhe epokën e qëndresës së ashpër pas tij, kur shumëçka rrezikoi të shuhej, por nuk u shua.

Por fama e Lekë Dukagjinit nuk buron vetëm nga shpata, nga trimëria dhe nga përballjet me Perandorinë Osmane. Ajo buron nga një akt shumë më i thellë, nga themelimi i një sistemi juridik, Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili nuk qe thjesht një grup rregullash, por një themel civilizues, një kod i mënyrës së të jetuarit, i të drejtës dhe i nderit, i marrëdhënieve shoqërore e familjare, i marrëveshjes dhe i konfliktit. Me të drejtë albanologu J. G. von Hahn e quajti Lekën “sundimtar dhe ligjbërës”, sepse ai ishte i tillë: njeriu që sundonte me autoritet politik dhe që njëkohësisht hartonte normat sipas të cilave do të rrohej për shekuj.

Von Hahn kujton se ky Kod i Lekës nuk ishte një doracak zakonesh, por vetë baza e jetës së malësorëve të veriut, shumë përtej trevës së Dukagjinit. Ai thekson se dispozitat e Kanunit zbatohej “jo vetëm nga dukagjinasit, por nga të gjithë malësorët që banonin në veri të Drinit”, një territor i gjerë që më pas do të krijonte një identitet të veçantë juridik e kulturor brenda shqiptarëve. Kjo tregon se Lekë Dukagjini nuk ishte vetëm lokalitet, por univers i një rendi shoqëror.

Edhe më i fortë është vlerësimi i Mary Edith Durhamit, zonjës britanike që jetoi mes malësorëve shqiptarë dhe i njohu ata jo nga librat, por nga jeta. Në veprën e saj ajo shkruan se Leka “duhet të ketë pasur një personalitet imponues, që ka ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja ‘Kështu ka thënë Leka’ ka më tepër forcë detyruese sesa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit e të Krishterimit, Ligji i Sheriatit apo i Kishës.”

Ky është ndoshta vlerësimi më i fuqishëm që mund t’i bëhet një prijësi: të ketë lënë pas një fjalë më të rëndë se ligjet e shenjta.

Durhami shkon edhe më tej kur pohon se “fama e tij midis fiseve, që ende ruajnë emrin e tij, i afrohet famës së Skënderbeut”.

Leka ishte i pandarë nga jeta e përditshme e malësorëve. Në çdo kuvend, në çdo pajtim gjaku, në çdo çështje nderi, në çdo prag shtëpie, në çdo çast vendimmarrjeje, emri i Lekës ishte autoriteti suprem. Kjo e bëri atë të pavdekshëm në një mënyrë që i tejkalon kufijtë e historiografisë.

Në këtë prizëm, Lekë Dukagjini nuk është vetëm bashkëluftëtar i Skënderbeut, as vetëm prijës i Arbërisë veriore. Ai është një ndër themelet identitare të kulturës shqiptare, njeriu që ndërtoi ligjin ku u farkëtua karakteri i malësorëve, ai që la pas një trashëgimi funksionale dhe jo vetëm heroike. Ai është shembulli se si një figurë historike mund të mbetet e gjallë jo vetëm në histori, por në gjuhë, në normë, në jetën e përditshme të një populli.

Lekë Dukagjini, i madh në emër dhe vepër

“Kështu ka thënë Leka” – kjo shprehje e thjeshtë, por me forcë të jashtëzakonshme detyruese, ka jetuar ndër shekuj, duke u bërë më e pranishme, më e frikshme dhe më e padiskutueshme se shumë prej ligjeve të shkruara nga civilizimet e mëdha. Një popullsi e tërë i është nënshtruar për më shumë se pesëqind vjet një fjale të dalë nga goja e një princi shqiptar, duke e vendosur atë në një piedestal që rrallë figura të tjera historike në Ballkan apo Europë e kanë arritur.

Kjo dëshmon se Lekë Dukagjini duhet të ketë pasur një personalitet imponues, një fuqi morale dhe një prani njerëzore të tillë, saqë ndikimi i tij u bë normë, rregull, ligj e zakon. Në disa krahina të Veriut, madje, fama e bën figurën e tij një fenomen të veçantë në historinë shqiptare.

Leka: midis historisë dhe legjendës

Lekë Dukagjini ishte një nga ato figura që qëndron në kufirin e brishtë midis dokumentit dhe mitit. Ai është një personazh real, me datëlindje dhe datëvdekje, me principatë, beteja, aleanca dhe kundërshti të dokumentuara, por njëkohësisht është edhe një figurë që historia e ka rrethuar me aureolën e legjendës, ashtu siç ka bërë edhe me Gjergj Kastriotin.

Të dy ishin princër trashëgimtarë, të dy u rritën në prani të kulturave europiane, të dy bartën mbi shpatulla fatin e principatave të tyre dhe të dy u bënë shtylla të rezistencës shqiptare kundër zgjerimit osman.

Dy princër, dy botë, një rezistencë

Leka (1410–1481) dhe Skënderbeu (1405–1468) ishin bashkëkohës, por me formime të ndryshme.

Leka, i rritur në frymën humaniste të Rilindjes Evropiane, kishte marrë kulturë në Venecia, Raguzë, Shkodër, qendra që e ngjisnin njeriun me idealet e qytetërimit europian.

Skënderbeu, formimin e pati në Costondinopoj, marrja pjes në ushtrin e Sulltanit , e ngriti meteorikisht në hierarki.

Të dy u vendosën në krye të principatave të tyre si figura të pjekura: Leka pas vdekjes së Pal Dukagjinit (1446), me principatën që përfshinte Lezhën, Zadrimën dhe shtrihej deri në Ulpianë; Gjergji më 1443, duke ringritur principatën e Kastriotëve dhe prestigjin e saj historik.

Në Besëlidhjen e Lezhës (1444), ata u bënë dy shtylla të së njëjtës kauzë: të mbijetesës së kombit. Shpesh pranë, nganjëherë në kundërvënie, por gjithnjë në gravitetin e së njëjtës liri.

Pas vdekjes së Skënderbeut, Leka ishte i vetmi princ shqiptar që vazhdoi të udhëhiqte rezistencën deri në fund të jetës, duke mbajtur ndezur një zjarr që në shumë vende të tjera të Iliris ishte shuar.

Çështja e “përfoljes”: historiografia dhe paragjykimi

Është fakt që historianët e kanë përfolur Lekën, sidomos kronistët e hershëm. Pse?

Sepse kërkonin një antagonist të Skënderbeut, një konflikt që e bën narrativën më tërheqëse. Sepse nuk guxonin të fajësonin Europën Perëndimore për mosndihmën ndaj shqiptarëve në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Sepse nuk donin të prekeshin interesat e Venedikut, i cili luajti shpesh një rol të dyfishtë, herë aleat, herë intrigant, herë sabotues.

Leka ishte princi më i fuqishëm pas Skënderbeut. Prandaj ishte edhe më i lehti për t’u sulmuar, për t’u bërë shënjestër e diplomacisë veneciane dhe propagandës së kohës. Por vetë historia e tregoi se këto sulme u shuan në momentin kur Venediku u bashkua me Shqipërinë në luftën kundër osmanëve (1463). Pas kësaj, heshtja e kronikave nuk vjen nga mungesa e bëmave, por nga frika dhe interesat e politikës së kohës.

Leka i legjendës dhe Leka i Kanunit

Miti i vërtetë i Lekës ngrihet pas vdekjes. Ai u përfol, u kritikua, u shtrembërua, por ndikimi i tij u bë edhe më i fortë. Sepse ai u bë ligjdhënës, jo me shkrim, por me gojën e popullit.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një fenomen homerik, fjalët e tij u ruajtën, u transmetuan, u pasuruan për 6 shekuj. Si Homeri, edhe Leka ka hyrë në mitin e popullit; si Homerit i sajuan një vëlla të verbër, ashtu edhe Lekës i shpikën një shoqërues të ngjashëm.

Ky nuk është një mit i rastësishëm. Ai ka bazë historike: Në mesin e shek. XV, principata e Dukagjinëve humbi qendrat urbane.

Lezha i ra Venedikut; Ulpiana u shkatërrua nga turqit; Prizreni ra më 1458.

Leka u detyrua të tërhiqej në zona malore, ku ngriti saraje, qyteza dhe kështjella së bashku me malësorët.

Aty ai gjeti jo vetëm strehë, por krijoi një formë të re organizimi shoqëror, të bazuar në pleqësi, nder, besë dhe vetëqeverisje.

Kush tjetër në Ballkan arriti të krijojë një sistem juridik që të mbijetojë pesë shekuj dhe të jetë referencë deri në fillim të shekullit XX?

Leka si figurë e qytetërimit shqiptar.

Lekë Dukagjini nuk është vetëm një princ i një epoke të trazuar. Ai është produkti dhe krijuesi i një qytetërimi të tërë malor, të qëndrueshëm, të pathyeshëm dhe të organizuar sipas parimeve të nderit, besës, mikpritjes, lirisë së individit, barazisë së burrave para gjyqit të fjalës.

Asnjë perandori nuk mundi ta zhbënte këtë sistem. As sulltanë, as mbretëri, as perandori, as regjime moderne.

Kjo e bën Lekë Dukagjinin jo thjesht një figurë historike, por një arketip të identitetit shqiptar.

Trashëgimia e Lekë Dukagjinit nuk matet me datat e kronikave. Ajo matet, me peshen e fjalës së tij, me qëndresën e malësorëve që e ndoqën, me sistemin juridik që për gati 500 vjet funksionoi pa shtet, me mitin e tij që u rrit sa më shumë kalonin shekujt.

Në një epokë ku princat ishin të shumtë, ku luftërat ishin të pandalshme dhe ku kufijtë ndryshonin me çdo paqe, vetëm pak figura kanë arritur të ngrihen në atë lartësi ku historia nuk i shuan, por i trashëgon.

Lekë Dukagjini është njëri prej tyre.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular