mportet e tekstileve dhe këpucëve u ulen ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar një ndryshim të ndjeshëm në sjelljen konsumatorë nga rritja e kostove të jetesës dhe dinamikat demografike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare te INSTAT importet e veshjeve dhe këpucëve shënuan 86,4 mijë tonë në 2025, me ulje 9% në raport me vitin 2024.
Sipas aktorëve të tregut, arsyeja kryesore lidhet me tkurrjen e popullsisë. Në vitin 2025, popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ose –1.2%, norma më e lartë në rajon. Në raport me Censin 2011 tkurrja është më shumë se 17%. Rënia më e fortë është në grup-moshën deri 30 vjeç, që po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.
Tregtaret e lidhin rënien e kërkesës për veshje dhe këpucë me faktin se Shqipëria ka më pak njerëz për të veshur e mbathur pasi grup-moshat aktive dhe ato që shpenzojnë më shumë për modën po largohen drejt Bashkimit Evropian. Tregu vendas mbetet me një popullsi në plakje, e cila ka prioritete të tjera konsumi dhe një nevojë më të ulët për blerje të shpeshta veshjesh.
Përveç demografisë, goditja tjetër vjen edhe nga rritja e kostove të tjera të si, ushqimet, qiratë dhe banesat. Çmimet më të larta ka detyruar familjet shqiptare të rishikojnë listën e shpenzimeve. Në një mjedis ku inflacioni ka gërryer fuqinë blerëse, veshjet dhe këpucët janë zhvendosur nga kategoria e nevojave të menjëhershme në atë të shpenzimeve që mund të shtyhen.
Konsumatorët po zgjedhin, duke u mjaftuar me blerjet ekzistuese ose duke u orientuar drejt tregut të përdorur, ndërsa buxheti i familjeve shkon kryesisht për mbijetesë, ushqime, energji, ujë etj.
Tregtarët pohuan se rënia do të ishte edhe më e madhe nëse nuk do të ishte efekti i turistëve. Shitësit me pakicë të veshjeve në qendra tregtare dhe aksesore kanë pohuar se 10%-15% e xhiros ditore është realizuar nga turistët. Ata zakonisht blejnë gjëra të lira për përdorim gjatë kohës që janë në Shqipëri. Monitor







