HomeOP EDÇfarë duhet të bëjmë për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë? Nga...

Çfarë duhet të bëjmë për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë? Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj
Votoj me bindje projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes Ndryshuese Nr. 1, me shkëmbim letrash, të Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021 – 2027, ratifikuar me Ligjin Nr. 12/2024”.

Programi i bashkëpunimit ndërkufitar IPA III Shqipëri-Kosovë  është hartuar bashkërisht ndërmjet Komisionit Evropian, autoriteteve shqiptare dhe kosovare, duke përfshirë edhe konsultimet me palët e interesuara nga institucionet qendrore, institucionet vendore të zonave përfituese të programit, dhomat e tregtisë dhe industrisë, bizneset, organizatat e shoqërisë civile etj.

  1. Domosdoshmëria për të rritur fort marrëdhëniet e përbashkëta ekonomike

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës përbëjnë një bosht strategjik kombëtar, që shkon përtej lidhjeve historike, gjuhësore dhe kulturore. Në kontekstin e ri gjeopolitik në Ballkan dhe në Evropë, thellimi i bashkëpunimit dypalësh nuk është vetëm një aspiratë emocionale, por një domosdoshmëri politike, ekonomike dhe strategjike.

Sot marrëdheniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohen përmes më shumë se 90 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor dhe politik. Për fat të keq, shumica dërrmuese e këtyre marrëveshjeve kanë ngelur në letër, janë statike, jo vepruese dhe pa dinamizëm.

Ndërkohë, vëllimi tregtar (eksporte+importe) mes të dyja vendeve tona arriti për vitin 2025 në 49.8 miliardë lekë, ose 534 milionë euro. Pas Italisë, Kosova mbetet tregu i dytë më i rëndësishëm i destinacionit për eksportet tona, duke konfirmuar rolin e saj si partneri ynë kryesor rajonal. Eksportet tona në Kosova u shtuan gjatë vitit të kaluar me 8.6 përqind.

Ndërsa importet kosovare tek ne zënë vendin e 11-të. Bilanci tregtar është pozitiv për Shqipërinë, me një sufiçit në vitin 2025 në nivelin 17.5 miliardë lekë.

Tregtia me Kosovën paraqitet dukshëm nën potencialin e saj.  Në nivel të investimeve, ndërsa investimet nga Shqipëria në Kosovë janë tkurrur për vitin e kaluar, Kosova është ndër investitorët më dinamikë në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare për fluksin e Investimeve të Huaja Direkte(IHD), investimet nga Kosova gjatë periudhës janar–shtator 2025 arritën në rreth 153 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej rreth 1.4 herë ose 139%,  krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kosova ka kaluar nga investime më të fragmentuara vite më parë, drejt investimeve më të mëdha, të përqendruara dhe me orientim afatmesëm, ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur me investimet nga Shqipëria në Kosovë.

Sot investimet kosovare përbëjnë rreth 5% të stokut total të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, një peshë premtuese për një ekonomi fqinje dhe partnere strategjike. Investimet kosovare janë të përqendruara kryesisht në sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme, turizmi, industria përpunuese dhe energjia. Afërsia gjeografike, lidhjet kulturore dhe njohja e tregut shqiptar ulin ndjeshëm kostot e hyrjes për investitorët kosovarë dhe rrisin qëndrueshmërinë e projekteve.

  1. Dekalogu i veprimeve urgjente për të zgjeruar bashkëpunimin

Ne duhet të punojmë fort, që të zgjerojmë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Kosovën, në dhjetë fushat strategjike si më poshtë:

Zgjerimi i ndjeshëm i këtyre marrëdhënieve mund të strukturohet rreth dhjetë drejtimeve themelore më poshtë.

1. Integrimi ekonomik dhe krijimi i një tregu të përbashkët funksional. Harmonizimi i politikave tregtare, fiskale dhe doganore mes dy vendeve do të ulte ndjeshëm kostot për bizneset dhe do të rriste konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në rajon dhe më gjerë.

2. Bashkëpunimi strategjik intensiv në infrastrukturë dhe energji. Projektet e përbashkëta rrugore, hekurudhore dhe energjetike (interkonektorë, energji e rinovueshme) janë çelësi për zhvillim afatgjatë dhe për siguri energjetike kombëtare. Në këtë drejtim, do të veçoja dy projekte:

A. Porti i Shëngjinit, port për Kosovën. Porti i Shëngjinit, i ndodhur vetëm 125 km larg kufirit me Kosovën, është një nga portet e rëndësishëm të Shqipërisë, për shkak të afërsisë me Rrugën e Kombit dhe me vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, aftësitë e tij përpunuese vazhdojnë të jenë të ulta. Porti ka një gjatësi të kufizuar kalatash dhe përpunon anije mallrash me kapacitet deri 3,000 tonë.

Zgjerimi i aftësisë përpunuese të Portit të Shëngjinit dhe vendosja në funksion të ekonomisë dhe qeverisë së Kosovës, do të krijonte një portë shumë të mirë gjeo-ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Evropës Perëndimore.

Porti, i zgjeruar dhe i modernizuar në shërbim të ekonomisë së Kosovës, do të sillte përfitime ekonomike dhe politike të dyanëshme, si për Kosovën dhe Shqipërinë. Kosova do të ulte varësinë tregtare me vendet fqinje sidomos me Serbinë, duke e orientuar ekonominë e saj në volumet tregtare drejt vendeve të BE-së.

Me portin, Kosova do të ishte më pak e kërcënuar nga presionet ekonomike shpesh absurde të shtetit serb. Porti i Shëngjinit, i administruar si port i Kosovës dhe për ekonominë kosovare, do ta pavarësonte më shumë ekonomikisht shtetin e ri të Kosovës, duke i dhënë një dimesion të gjerë ekonomik dhe politik, si dhe një dalje në Adriatik.

Përsa i përket Shqipërisë, porti i ri do të rriste investimet në vend, si investimet e huaja edhe ato vendase. Këto investime do të realizoheshin në një zonë deri tani me zhvillim mesatar, duke i dhënë një impuls të fuqishëm jetës së banorëve përreth portit. Porti, nën administrimin e Kosovës, jo vetëm do të sillte përfitime ekonomike për zonën, por do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e gjithë pjesës Veriperëndimore dhe Verilindore të Shqipërisë.

Nga ana e investuesve dhe e qeverive kosovare, kjo ide ka gjetur përparësi dhe shumë sipërmarrës të rëndësishëm kosovarë janë shprehur të interesuar për të financuar.

Nga ana e qeverisë sonë është bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë, në drejtim të realizimit të paktën të një studimi fizibiliteti për këtë urë të jashtëzakonshme bashkimi dhe bashkëpunimi mes të dyja vendeve tona.

B. Hekurudha Durrës-Prishtinë. Në mars 2025, u prezantua studimi i leverdisshmërisë, i përgatitur nga të dyja palët, si Shqipëria dhe Kosova, që kishin ngritur grupet përkatëse të punës nga ministritë e transportit dhe infrastrukturës së të dyja vendeve. Studimi i hapi rrugën sigurimit të financimit për këtë projekt me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe për zhvillimin ekonomik rajonal. Kaluan dhjetë muaj dhe ende nuk kemi asnjë zhvillim të rëndësishëm për këtë hekurudhë.

Pjesa e re e hekurudhës Durrës-Prishtine është linja hekurudhore Shkodër-Gjakovë, pasi segmentin Durrës-Shkodër e mbulon hekurudha e re Vorë-Hani i Hotit, për të cilën qeveria shqiptare ka siguruar fonde nga Buxheti i Shtetit dhe kredi të buta, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Programit të Rritjes së Bashkimit Evropian. U përmend po në mars 2025, se për këtë hekurudhë do të zhvillohen procedurat tenderuese, por deri tani nuk kemi asnjë të dhënë të re.

Linja hekurudhore Shkodër-Gjakovë përllogaritet nga studimi i fizibilitetit që të kushtojë 1.8 miliardë euro. Rreth 1.7 miliardë euro janë kosto që nevojiten për ndërtimin, sidomos për tunelet, ndërsa pjesa tjetër kosto për leje, shpronësime tokash, etj.. Hekurudha pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit, nga Durrësi drejt Milotit, pastaj Mjedë, Shkodër, Gjakovë dhe më pas në Prishtinë. Studimi i leverdisshmërisë ka përfshirë edhe Portin Tokësor të konteiniereve në Prishtinë, i cili në gjuhën teknike quhet “port i thatë” . Një qendër efektive konteinerësh në Prishtinë i shërben ekonomive të Kosovës dhe Shqipërisë njësoj.

Me hekurudhën Durrës-Prishtinë, eksportet dhe importet Shqipëri-Kosovë do të mund të shtohen ndjeshëm brenda një periudhe të shkurtër. Projekti mund të financohet edhe nga struktura financuese të Bashkimit Evropian, sikundër është Banka Evropiane e Investimeve(BEI), e cila ka hapur një zyrë në Tiranë, por edhe nga banka e fonde të tjera zhvillimi të BE-së.

Hekurudha Durrës-Prishtinë,  jo vetëm që do të mundësojë transportin e shpejtë dhe me kosto të ulët të pasagjerëve dhe mallrave, së pari mes Shqipërisë dhe Kosovës e më tej drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të rrisë ndjeshëm edhe vëllimin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Bullgari.  

3. Lehtësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, punës dhe kapitalit. Një hapësirë e përbashkët pune dhe shërbimesh, pa barriera administrative, do të krijonte më shumë mundësi punësimi, sidomos për të rinjtë dhe profesionistët. Në drejtim të lehtësimit të kapitalit, do të ishin të domosdoshme veprimet e mëposhtme:

A. Heqje/ulje e barrierave praktike në kufi dhe logjistikë. Përshpejtim i masave të lehtësimit të qarkullimit të mallrave në pikat kufitare dhe shfrytëzim maksimal i lidhjeve të reja ndërkufitare të iniciuara.

B. Platformë e përhershme B2B dhe “pipeline”(drejtim i përqëndruar  eksporti për SME-të. Kalendar i përvitshëm me panaire dhe forume, me misione tregtare të përbashkëta dhe platforma digjitale për lidhje direkte të bizneseve, sidomos për produktet me vlerë të shtuar.

C. Funksionalizimi i mekanizmave institucionalë të tregtisë. Krijimi i Dhomës së Përbashkët Ekonomike Shqipëri-Kosovë, si strukturë “one-stop” për problematikat e mprehta tregtare mes të dyja vendeve, për standardet, çertifikimet dhe informim sektorial, me raportim periodik të pengesave).

D. Harmonizim politikash në kuadër të CEFTA dhe të Procesit të Berlinit. Paketë e përbashkët masash për standardet, konformitetin dhe njohjen reciproke të dokumentacionit tregtar, për të rritur konkurrueshmërinë rajonale dhe aksesin në tregje më të gjera.

4. Koordinimi i politikës së jashtme dhe diplomacisë. Një zë i përbashkët në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare do të forconte pozicionin e Kosovës në arenën globale dhe rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti.

5. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shkëmbimi i informacionit, stërvitjet e përbashkëta dhe koordinimi institucional rrisin kapacitetet mbrojtëse dhe përballimin e sfidave të reja të sigurisë.

6. Unifikimi i politikave arsimore dhe njohja reciproke e diplomave. Krijimi i programeve të përbashkëta arsimore dhe shkencore do të ndërtonte një hapësirë të përbashkët dijeje dhe inovacioni.

7. Zhvillimi i përbashkët kulturor dhe mediatik. Promovimi i kulturës, artit dhe historisë së përbashkët përmes projekteve të koordinuara forcon identitetin kombëtar dhe imazhin ndërkombëtar.

8. Bashkëpunimi në bujqësi, turizëm dhe zhvillim rural. Politikat e përbashkëta në këta sektorë krijojnë zinxhirë vlerash të integruar dhe rrisin të ardhurat për komunitetet lokale në të dy anët e kufirit. Sidomos në turizëm, veprimet e mëposhtme janë të domosdoshme dhe urgjente:

A. Trajtimi i Kosovës si treg prioritar turistik në politikat tona publike. Përfshirja eksplicite e Kosovës si treg strategjik në dokumentet e politikave turistike, me objektiva të dedikuara për ruajtjen dhe rritjen e këtij fluksi. Pjesëmarrje shtetërore e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar Turistik të Prishtinës.

B. Zhvillimi i ofertave të diferencuara për turistët nga Kosova. Paketa të strukturuara për turizëm familjar, fundjavash dhe jashtë sezonit (bregdet + qytete historike), për të rritur qëndrimin mesatar dhe shpenzimin për vizitor.

C. Lehtësim i mëtejshëm i lëvizjes dhe shërbimeve ndërkufitare. Përmirësim i menaxhimit të flukseve në pikat kufitare gjatë sezonit turistik dhe nxitje e shërbimeve të përbashkëta informative dhe promocionale Shqipëri–Kosovë, në funksion të përvojës së vizitorit.

9. Digjitalizimi dhe shërbimet publike të ndërlidhura. Ndërlidhja e sistemeve digjitale shtetërore do të thjeshtonte shërbimet për qytetarët dhe bizneset, duke ulur burokracinë dhe informalitetin.

10. Ndërtimi i mekanizmave të përhershëm institucionalë të bashkëqeverisjes. Krijimi i strukturave të përbashkëta monitoruese dhe vendimmarrëse garanton vazhdimësi, transparencë dhe rezultate konkrete të bashkëpunimit.

xxx

Zgjerimi i marrëdhënieve Shqipëri–Kosovë nuk duhet parë si një proces simbolik, por si një projekt shtetëror afatgjatë. Vetëm përmes planeve konkrete, institucioneve të forta dhe vullnetit politik të qëndrueshëm, ky partneritet mund të shndërrohet në një model suksesi për rajonin dhe integrimin evropian.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular